Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur një grup separatist baloç si organizatë të huaj terroriste, njoftoi Departamenti i Shtetit, vendim që u mirëprit nga zyrtarët pakistanezë.
Shpallja organizatë terroriste e Ushtrisë Çlirimtare të Baloçistanit dhe krahut të saj luftarak, Brigada Maxhid, e fajësuar për sulmet vdekjeprurëse në provincën e Baloçistanit, përkon me vizitën e shefit të ushtrisë së Pakistanit, Field Marshal Asim Munir, në SHBA.
Po ashtu, ky vendim vjen dy javë pasi Uashingtoni dhe Islamabadi arritën një marrëveshje tregtare, e cila pritet t’u mundësojë kompanive amerikane të ndihmojnë në zhvillimin e rezervave të naftës, kryesisht të pashfrytëzuara, në Baloçistanin e pasur me burime, si dhe të ulin tarifat tregtare për Islamabadin.
Përmes një deklarate, DASH-i tha se ka “shpallur Ushtrinë Çlirimtare të Baloçistanit [BLA] dhe Brigadës Maxhid, si organizatë e huaj terroriste dhe kemi futur Brigadën Maxhid në listën e organizatave globale terroriste”.
Fillimisht, BLA-ja ishte futur në listën e organizatave terroriste më 2019, pas një sërë sulmesh terroriste. Në njoftim, SHBA-ja tha se që atëherë si grupi ashtu edhe Brigada Maxhid kanë marrë përgjegjësinë për sulme të tjera.
Po ashtu, DASH-i tha se më 2024, BLA-ja mori përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse me bombë afër aeroportit në Karaçi dhe në qyteti Gvadar në Baloçistan.
Në vitin 2025, grupi tha se kishte rrëmbyer trenin Jaffar Express, që udhëtonte nga Kueta në Peshavar, duke vrarë 31 civilë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe duke mbajtur peng më shumë se 300 pasagjerë, sipas DASH-it.
“Veprimi i sotëm i ndërmarrë nga Departamenti i Shtetit tregon angazhimin e administratës Trump për të luftuar terrorizmi”, u tha në njoftim.
Nacionalistët dhe grupet separatiste në Baloçistan ende nuk kanë reaguar për këtë vendim të Uashingtonit.
Prej kohësh, Baloçistani ka përjetuar kryengritje, fajin për të cilat u lihet kryesisht grupeve, përfshirë Ushtrisë Çlirimtare të Baloçistanit. Kjo provincë po ashtu është vendi ku operojnë militantët e lidhur me talibanët e Pakistanit.
Separatistët në Baloçistan kundërshtojnë shfrytëzimin e burimeve natyrore nga kompani pakistaneze dhe të huaja dhe kanë shënjestruar forcat e sigurisë pakistaneze dhe shtetasit kinezë që punojnë në projekte me vlerë miliarda dollarë, të lidhura me Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan.