Klubi katalunas, Barcelona thuhet se i ka vendosur çmimin mesfushorit të talentuar 21-vjeçar, Mark Kasado. Sipas gazetës “Sport”, Barcelona do ta shesë Mark Kasadon nëse merr një ofertë me vlerë 30 milionë euro. Mesfushorit 21-vjeçar i është thënë se përballet me kohë të kufizuar loje këtë sezon. Me konkurrencën nga Frenkie de Jong, Pedri, Gavi dhe Mark Bernal, shanset e tij për t’u shfaqur rregullisht duken të pakta.
Interesi tashmë po qarkullon nga disa klube. Skuadrat e Premier Ligës, Vulverhempton dhe Uest Ham, kanë treguar interes, së bashku me Real Betis.
Megjithatë, asnjë nga këto klube nuk ka bërë ndonjë ofertë afër vlerësimit prej 30 milionë eurosh të Barçës. Pavarësisht tërheqjes së pretendentëve, Kasado mbetet i kënaqur te Barcelona dhe preferon të qëndrojë, përveç nëse klubi e bën të qartë se një shitje është e nevojshme.
Trajneri Hansi Flick gjithashtu do të donte ta mbante lojtarin për të pasur më shumë lojtarë në skuadër. Barcelona e sheh transferimin e tij të mundshëm si një levë financiare, duke i ndihmuar ata me regjistrimin e lojtarëve si Roni Bardghji dhe Vojçieh Shçezni.
