Pas një fundjave të zgjatur në Greqi, ku një numër i madh i banorëve të Shkupit u ndjenë për tre ditë pjesëtarë të Evropës, nga dita e sotme u kthyen në realitetin e zakonshëm; mbeturina të pa mbledhura, kontejnerë të stërmbushur dhe parqe pa gjelbërim, shkruan Alsat.
Në disa vende mbeturinat kishin bllokuar edhe trotuaret.
“Në afërsi janë kontejnerët e stërmbushur të cilët nuk duken nga këto mbeturina që janë këtu në komunën e Butelit dhe të cilat për fat të keq e kanë bllokuar edhe trotuarin dhe nuk i lejojnë qytetarët të lëvizin lirshëm në këtë pjesë. Çështja e mbeturinave thuajse në të gjithë Shkupin është e ngjashme si kjo në komunën e Butelit”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.
Qytetarët, disa fajësojnë ndërmarrjen e Higjienës Komunale, disa thonë se komunat duhet të kujdesen më shumë kur ka mbetje të rënda afër kontejnerëve. Janë edhe vetë kritik, thonë se duhet të ngritët niveli i vetëdijes dhe të mos hidhen mbeturina vend e pa vend.
“E tmerrshme është në të gjithë lagjen, grumbulluesit e mbeturinave nuk kaluan as të shtunën as të mërkurën dhe ja tani vjen e mërkura tjetër dhe kjo është e tmerrshme, ngjashëm është edhe nën vendkalimin në atë pjesë. Mbetje të këtilla duhet komuna që t’i grumbulloje jo njëherë në vit por çdo dy apo tre muaj që komuna t’i grumbulloje dhe t’i hedh në vend të caktuar e jo të lihen në këtë mënyrë”, tha një qytetar.
“Në çfarë ngjanë kjo, kush duhet ta pastroje këtë, pastaj thuan fajtorë janë të Higjienës Komunale, fajtorë është ai që i ka hedhur këtu, qytetarë të pa ndërgjegjshëm e më pas duam që të shkojmë në Evropë, kjo është e turpshme”, u shpreh një qytetar tjetër.
Pas komunës së Butelit, vizituam edhe komunën e Aerodromit, por situata edhe atje ishte e ngjashme me mbeturinat ndërsa qytetarët ndajnë thuajse të njëjtin mendim si ato të komunave tjera.
“Nuk është pastër, çfarë të them, duhet të ketë kontrolle të rrepta. Si ishte më herët? Më herët ishte ndryshe, çdo mbrëmje kalonin dhe i lanin rrugët me ujë, fillimisht grumbulloheshin mbeturinat e më pas i lanin rrugët, por tani jo”, theksoi një qytetar tjetër.
Dita e ardhshme jopune është 11 tetori, megjithatë qytetarët s’do mund t’i gëzohen fundjavës së zgjatur, pasi është e shtunë. Fundjava e zgjatur e radhës do të jetë më 8 dhjetor./ Alsat.mk
