23 C
Skopje
E hënë, 3 Gusht, 2026

Mexhiti: Çairi do të jetë komunë për të gjithë

Kandidati për Kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar vizionin e tij për një komunë gjithëpërfshirëse, me fokus të veçantë tek qytetarët me nevoja të posaçme. Ai tha se synimi është krijimi i një mjedisi të barabartë, të qasshëm dhe dinjitoz për çdo banor, informon POPULLI.mk

“Së shpejti, të gjitha objektet dhe institucionet komunale do të përshtaten me standarde të plota të qasjes. Do të sigurojmë hyrje, shërbime dhe infrastrukturë të përshtatshme për personat me nevoja të posaçme, duke inkurajuar edhe sektorin privat të ndjekë të njëjtin model gjithëpërfshirës,” tha Mexhiti.

Projekti kryesor i komunës është ndërtimi i një shkolle të re dhe moderne për fëmijët me nevoja të posaçme në parcelën e shkollës “Idnina”. Ky institucion, i pari i këtij lloji në vend, do të ketë kapacitet prej 150–200 nxënësish dhe do të shërbejë për fëmijët nga 27 komuna. Shkolla do të shtrihet në një sipërfaqe prej 8.000 m², me dy kate, klasa të specializuara për autizëm dhe nevoja të tjera specifike, si dhe hapësira për mësim, pushim, fjetje dhe rekreacion.

Mexhiti paralajmëroi gjithashtu mbështetje për organizimin e aktiviteteve kulturore, rekreative dhe shoqëruese për personat me nevoja të posaçme, me qëllim nxitjen e përfshirjes dhe mirëqenies sociale.

“Çdo hap që ndërmarrim ka një synim të qartë: ta bëjmë Çairin komunë moderne, humane dhe të barabartë, ku askush nuk mbetet pas,” theksoi Mexhiti. / © POPULLI.mk