13.8 C
Skopje
E mërkurë, 11 Mars, 2026

Rubin: Komunikatat e UÇK-së ishin përpjekje për ta bërë më të rëndësishme UÇK-në

Kanë përfunduar pyetjet e trupit gjykues për dëshmitarin e mbrojtjes, James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit. Kjo është dita e tretë që Rubin po dëshmon në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku gjatë ditës së sotme është pyetur edhe një herë nëse ka pasur polici ushtarake e strukturë komanduese të UÇK-së.

Gjatë dëshmisë së James Rubin në gjykatore janë të pranishëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Katër të akuzuarit janë në sallën e gjyqit,

James Rubin, dëshmia e të cilët është në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi, sot në gjykatore është i shoqëruar nga një përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Në pyetjet e gjykatësit, Fergal Gejnor, se a ka lexuar ndonjëherë komunikata të lëshuara nga UÇK në shtyp, Rubin tha se ato i ka konsideruar më shumë si “manipulime”.

“Kam lexuar shpesh komunikata por i kam konsideruar më shumë përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme nga që ishte në realitet, për mua nuk ishin asgjë përveçse manipulime”, deklaroi Rubin.

Me nisjen e dëshmisë për ditën e sotme, diplomati amerikan u pyet nga gjyqtari Gejnor se a ka parë komunikime mes komandantëve të zonës dhe shtabit të përgjithshëm.

Rubin ka përsëritur deklaratën se nuk ka pasur strukturë në UÇK dhe se nuk i ka konsideruar si polici ushtarake.

“Edhe nëse do t’i kem parë komunikime të tilla, sidomos duke pasur praninë e koleges nga ShBA-ja, nuk do të isha në gjendje t’i komunikoja.

Gjykatësi: A keni parë komunikim mes batalioneve?

Rubin: Më duhet të bëjë një përjashtim këtu, me sa pash unë nuk ka pasur batalione, brigada apo njësi në UÇK, nuk besoj që ka ekzistuar nga pikëpamje ushtarake ky lloj organizimi dhe nga ato që kam parë unë, asnjëherë nuk më çoj të mendoja që ekzistonin struktura të tilla. Mund të kem parë gjëra për UÇK-në që mund të diskutojë, por mund të ju them që nuk kom parë asgjë që përshkruan batalione, brigada, njësi, siç duhet të jenë si rregull në divizione në ushtri, apo në regjimente që kemi parë ne në perëndim apo çfarë konsiderojmë ne një strukturë formale. Në dijeninë tonë nuk ka ekzistuar diçka e tillë”,

Paraprakisht, dëshmitarit të mbrojtjes i është shfaqur një dokumentar, ku gjykatësi ka pyetur Rubin se a ka pasur kërcënime Hashim Thaçi.

“Jo, nuk kam qenë në dijeni të ketë pasur ndonjë kërcënim fizik, por e di që ka qenë kjo, ka pasur presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë. Sepse kjo ishte kryesorja për lëvizjen, kjo ishte kryesorja për lëvizjen gjatë luftës. Edhe Madeleine Albright e ka kërcënuar Hashim Thaçin, e ka kërcënuar dhe i ka thënë ‘po nuk nënshkrove dhe po i lë njerëzit të pambrojtur nga serbët’, dhe sigurisht më pas dëgjova që është kërcënuar edhe zotëri Adem Demaçi që ishte njeri kryesor. Dhe unë dua të shtojë diçka këtu, dje më keni bërë shumë pyetje për zotëri Demaçin, dhe unë nuk përgjigja për diçka të rëndësishme. Ky ishte një person me status në lëvizjen e tyre, ky ishte ekuivalent i Nelson Mandele madje që ishte burgosur për shumë e shumë vite dhe kishte një pushtet moral të jashtëzakonshëm ndaj lëvizjes për çlirim. Kërcënimet nuk ka qenë fizike”, deklaroi ai.

Në një dokumentar tjetër të shfaqur nga trupi gjykues, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright i referohet Thaçit si lider, për çka Rubin tha “ne donim që ai të bëhej lider-udhëheqës”.

Pas pyetjeve të trupit gjykues, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se nuk ka pyetje shtesë dhe seanca po vazhdon me pyetjet e avokatit mbrojtjes të Thaçit, Luka Misetiç.

Rubin është dëshmitari i parë që mbrojtja e ish-presidentit Thaçi e ka sjell në gjykatore. Pas tij pritet të dëshmojnë edhe dhjetë dëshmitarë të tjerë në mbrojtje të Thaçit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po mbahen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 kur edhe ishte bërë publike aktakuza ndaj tyre.

Të ngjajshme

Të fundit