20.8 C
Skopje
E hënë, 10 Gusht, 2026

Mexhiti: Është koha për punë, për rregull dhe për zhvillim, është koha për Çairin!

Kandidati i VLEN-it për Çairin, Izet Mexhiti, në një konferencë për shtyp ka shpallur rikthimin e tij në Çair dhe kandidaturën për kryetar të kësaj komune, duke theksuar se obligimi i tij më i madh është ndaj qytetarëve dhe jo ndaj funksioneve politike, informon POPULLI.mk

“Qëndroj para jush si fqinj, mik dhe bashkëveprimtar. Rikthehem në Çair, mes njerëzve që u përkas, në zemrën e Çairit. Obligimi im nuk është ndaj karriges, por ndaj qytetarëve. Vendimet për të ardhmen nuk mund të merren më në zyra të mbyllura, por në rrugët dhe lagjet tona”, tha Mexhiti.

Ai kujtoi angazhimin e tij si zëvendëskryeministër, duke theksuar se është siguruar zhbllokimi i projekteve dhe fondeve të mbetura pezull për Çairin dhe komunat shqiptare. “Çairi tashmë është një kantier ndërtimi. Tani është koha për realizimin e projekteve, për zgjidhjen e kaosit në trafik, problemit me parkimin e pastërtinë, për çerdhe të reja dhe shkolla moderne”, u shpreh ai.

Mexhiti paralajmëroi një qasje të re qeverisjeje, duke kritikuar “monopolin njëpartiak” që, sipas tij, e ka mbajtur Çairin në frikë dhe pasiguri. “Ky është fillimi i një misioni për çlirimin nga monopoli i një partie të vetme. Thelbi i demokracisë është pluralizmi, jo sundimi i një partie që identifikohet me shtetin. Është koha që Çairi të jetë sërish prijës”, tha ai.

Në programin e tij, Mexhiti ka vendosur katër shtylla kryesore:

  • Trafiku dhe parkimi: ndërtim parkingsh nëntokësorë dhe garazhesh të reja, si dhe zgjerim të arterieve kryesore të komunikacionit.

  • Pastërtia dhe mjedisi: implementim i një sistemi modern për menaxhimin e mbeturinave, pastrim të deponive të egra dhe krijim të hapësirave të reja të gjelbra.

  • Të rinjtë dhe arsimi: krijim i një inkubatori për startup-e dhe një fond lokal inovativ, rikonstruksion i shkollave dhe investime në arsim modern.

  • Kultura dhe sporti: ringjallje e jetës kulturore dhe investime në infrastrukturë sportive për të rinjtë.

“Çairi nuk meriton të udhëhiqet nga të deleguar që zbatojnë agjenda politike të huaja. Ai meriton vizion, punë dhe vepra konkrete. Dyert e komunës do të jenë të hapura për të gjithë, pa dallim. Kjo është beteja jonë e përbashkët për një Çair modern, funksional dhe evropian”, theksoi Mexhiti, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë mision.

“Është koha për punë, për rregull dhe për zhvillim. Është koha për Çairin!”, përfundoi ai.

© POPULLI.mk