Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ka marrë zyrtarisht detyrën duke shprehur mirënjohje për besimin e qytetarëve dhe duke theksuar se “nga sot fillon puna për Çairin që duam”, informon POPULLI.mk
Në fjalën e tij pas marrjes së detyrës, Mexhiti tha se rikthehet në vendin ku filloi gjithçka, me ndjenjë përgjegjësie dhe përkushtimi për qytetarët që e kanë mbështetur gjatë gjithë rrugëtimit të tij politik.
“Nga sot po rikthehem në vendin tim, mes njerëzve të mi, me nder, me përulësi dhe me mirënjohje të thellë. Po rikthehem aty ku filloi gjithçka. Aty ku mësova çfarë do të thotë të punosh për njerëzit, të dëgjosh hallet e tyre dhe të ndash me ta çdo arritje,” u shpreh Mexhiti.
Ai theksoi se fitorja në Çair ishte e pakontestueshme, duke e cilësuar si “një deklaratë të qartë të qytetarëve për vazhdimësi, zhvillim dhe punë”.
“Ky votim masiv ishte një mesazh besimi, vlerësimi dhe mbështetjeje që e ndjej si përgjegjësi të madhe ndaj secilit prej jush,” shtoi ai.
Mexhiti premtoi një qeverisje të ndershme dhe transparente, të udhëhequr nga interesi publik dhe vizioni për një Çair modern, gjithëpërfshirës dhe zhvillimor.
“Çairi pret punë të ndershme, rezultate konkrete dhe një qeverisje që nuk njeh asgjë më të shenjtë se interesi publik. Dhe këtë do ta ketë,” deklaroi Kryetari i ri.
Në mesazhin e tij emocional, Mexhiti theksoi lidhjen e fortë me komunën që e ka udhëhequr edhe më parë, duke e quajtur Çairin pjesë të identitetit dhe historisë së tij personale e publike.
“Rikthehem sepse Çairi është pjesë e identitetit tim. Është historia ime personale dhe misioni im publik. Në çdo fazë të jetës sime, Çairi ka qenë forca që më ka mbajtur drejt,” tha ai.
Duke folur për të ardhmen, Mexhiti nënvizoi se para Çairit qëndron një kapitull i ri, i cili do të përcaktojë jo vetëm zhvillimin lokal, por edhe modelin e qeverisjes për vendin në tërësi.
“Ne do të punojmë bashkë me ju, me plan të qartë, me transparencë dhe me guxim për të bërë ndryshime të mëdha. Kam besim te njerëzit e Çairit, te energjia dhe dashuria e tyre për këtë vend,” – përfundoi ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, Izet Mexhiti falënderoi qytetarët për besimin dhe fitoren e bindshme, duke theksuar se nga sot fillon puna dhe koha e re për Çairin.
“Faleminderit për besimin. Faleminderit për mbështetjen. Faleminderit për fitoren e bindshme. Nga sot fillon puna për Çairin që duam. Nga sot fillon koha jonë,” përfundoi Kryetari Mexhiti. / © POPULLI.mk




