34.3 C
Skopje
E shtunë, 1 Gusht, 2026

Shkupi nën regjim të ri higjiene: Ndalohet hedhja e mbeturinave gjatë natës

Prej sonte, Shkupi nis një regjim të ri për pastërtinë e qytetit. Hedhja e mbeturinave pas orës 22:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit ndalohet. Shkelja do t’u kushtojë qytetarëve 50 euro, ndërsa personat juridikë, do të paguajnë gjoba nga 1300 deri në 1800 euro varësisht prej llojit të mbeturinave.

Qyteti mobilizon 40 inspektorë të Qytetit të Shkupit, 11 inspektorë komunalë dhe 10 mbikëqyrës të rendit komunal, të cilët do të patrullojnë rrugët dhe rrugicat e Shkupit, ndërsa siç njoftojnë nga Qyteti, ata do të jenë në terren edhe pas mesnate.

Shkeljet do të konstatohen në vendin e ngjarjes, ndërsa nëse në një vend të caktuar, do të gjenden mbeturina në përmasa më të mëdha, që janë të llojit të ndryshëm nga mbeturinat e zakonshme të amvisërive, do të bëhet kontroll më i detajuar te subjektet juridike.

Qytetarët e mirëpresin këtë vendim. Sipas tyre kur vjen puna te pastërtia, nuk duhet të ketë kompromis.

“Po mundet, dënime mund të ketë, të paguhen, pas orës 22:00 duhet të pastrohen mbeturinat, të mos ketë mbeturina nëpër rrugë”, tha një qytetar.

“Ai që kapet teksa hedh mbeturinat, duhet të paguajë menjëherë në vend, të paguaj dënimin. Në vend duhet të paguajë. Duhet të jetë pastër, vendi duhet të jetë i pastër”, u shpreh një qytetar tjetër.

Nga ndërmarrja publike “Higjiena komunale” thonë se masa, para se gjithash është e drejtuar ndaj subjekteve juridike, që siç thonë, më së shumti merret me hedhjen e mbeturinave në mënyrë të papërshtatshme dhe në orët e vona.

Ndërkohë kryetari i ri i Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski emëroi sot ushtruesit e ri të detyrës drejtor, në ndërmarrjet publike “Higjiena komunale”, “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, “Rrugët dhe Rrugicat” dhe Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik- Shkup. Boris Nastov, ish drejtori i “Rrugëve dhe Rrugicave” nga koha e ish kryetares Arsovska, përsëri është emëruar në këtë funksion.

Pas ndarjes së rrugëve mes Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së Nastov pati dhënë dorëheqje. Në krye të “Ujësjellësit dhe Kanalizimit” është emëruar Ivan Mitrovski, në “Higjienën komunale” është emëruar Dragi Miktovski, ndërsa me Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik, do të udhëheq Sasho Ilievski. / Alsat.mk