Zv.ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka reaguar pas disa publikimeve mediale që aludonin se projekti “Sheshi Skënderbeu – Faza 3, parkingu nëntokësor” është anuluar. Ajo ka bërë të ditur se bëhet fjalë vetëm për një anulim teknik të procedurës së prokurimit, për shkak të mospërputhjeve të vërejtura në dokumentacionin e tenderit, informon POPULLI.mk
Sipas saj, gjatë verifikimit zyrtar janë konstatuar gabime të trashëguara në përllogaritje dhe elemente të tjera teknike, të cilat duhen korrigjuar për të garantuar transparencë dhe respektim të plotë të ligjit.
“Ky është një anulim teknik, që nënkupton përmirësimin e dokumentacionit dhe rihapjen e tenderit. Projekti nuk anulohet dhe procedura do të rihapet sërish në ditët në vijim,” theksoi Zekolli Shaqiri.
Ajo shtoi se ky hap ka për qëllim sigurimin e një procesi profesional dhe të qëndrueshëm, duke garantuar që çdo fazë e projektit të zhvillohet sipas standardeve ligjore dhe teknike.
© POPULLI.mk



