Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD ka vendosur të mbështesë kandidaturat e saj për Avokatin e Popullit, duke theksuar se grupi parlamentar do të bëjë të ditura emrat e kandidaturave që sipas partisë “e përmbushin më mirë këtë funksion”.
Në një konferencë për shtyp në selinë e PD-së, Berisha tha se firmat mund të jenë dhënë, por PD mbështet disa kandidatura, duke iu referuar kandidatëve që kanë mbledhur firmat e duhura për kandidatë për pozicionin e Avokatit të Popullit.
Sipas Berishës, sot në grupin parlamentar do bëhen të ditur kandidatë të cilët e kryejnë më mirë atë detyrë.
I pyetur lidhur me listat e mbyllura për deputetë, Berisha tha se, listat e mbyllura nuk ishin më të mira, por sipas tij, ky sistem u imponua nga Edi Rama.
“Absolutisht nuk ishin kurrë më të mira. Pa diskutim. Po ky sistem u imponua nga Edi Rama. Sistemi është deformuar në palcë në vitin 2021 nga Edi Rama. Nuk ka diskutim”, tha Berisha.
Berisha deklaroi gjithashtu se çdo aktivitet i zhvilluar jashtë forumeve të PD-së është strikt privat dhe nuk ka asnjë lidhje me partinë duke iu referuar foltores që pritet të nisë Ervin Salianji ditën e sotme.
Berisha shtoi se PD është një parti me statut dhe institucione të qarta, dhe se debati dhe mbledhjet e forumeve janë në vazhdim, duke u hapur për të gjithë anëtarët dhe drejtuesit.
“Çdo person tjetër që për qëllime personale organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk kanë asnjë lidhje me partinë,” përfundoi ai, duke theksuar se ky është një rregull i zakonshëm për partitë politike në botë.
