Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se do t’i drejtohet sot kombit në një fjalim televiziv, duke shtuar në një mesazh në rrjetin e tij Social Truth se viti i kaluar kishte qenë i shkëlqyer, që nga kthimi i tij në pushtet në janar.
“Bashkëkombasit e mi amerikanë: Do t’i drejtohem kombit nesër (sot – shën. i përkth.) në mbrëmje, drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, në orën 21:00”, shkroi ai dje duke shtuar se “ka qenë një vit i shkëlqyer për vendin tonë dhe më e mira nuk ka ardhur ende”.
“Ai do t’i flasë kombit për sukseset e tij historike këtë vit dhe do të ofrojë një pamje të disa vendimeve që do të merren vitin e ardhshëm”, tha zëdhënësja e tij Karoline Leavitt për Fox News, duke treguar se fjalimi do të përqendrohet te imigracioni dhe ekonomia.
Pikëpamja pozitive e presidentit amerikan dhe Shtëpisë së Bardhë bie ndesh ashpër me shqetësimet e shprehura në sondazhe në lidhje me koston e jetesës.
Zhgënjimi i amerikanëve me politikat ekonomike të Donald Trump, kryesisht të bazuara në tarifa, po i shqetëson republikanët, më pak se një vit para zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Disa konservatorë i kanë bërë thirrje presidentit amerikan të përqendrohet më shumë në çështjet e brendshme.
Kohët e fundit ai e shprehu zhgënjimin e tij me sondazhet duke shkruar në rrjetin e tij Truth Social se “kur do të thonë më në fund njerëzit se unë krijova, pa inflacion, ndoshta ekonominë më të mirë në historinë e vendit tonë? Kur do ta kuptojnë njerëzit se çfarë po ndodh?”.
Zëvendëspresidenti JD Vance, i cili ishte në Pensilvani të martën, i nxiti amerikanët të jenë të duruar, duke ia hedhur fajin për koston e lartë të jetesës drejtpërdrejt ish-presidentit demokrat Joe Biden.
”Votuesit e dinë se Roma nuk u ndërtua brenda një dite. Ata e dinë se ajo që Joe Biden prishi nuk do të rregullohet brenda një jave”, tha ai.
