Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se opozita është shpresa e vetme në vend, ndërsa paralajmëroi për diversifikim të protestave deri në grevë urie.
“Ne duhet të ngrihemi me të gjithë forcën tonë si përpjekje e fundit për të rrëzuar këtë narkoshtet. Është faktuar gjithçka. Është faktuar farsa elektorale në mënyrën më përfundimtare. Janë faktuar vjedhjet dhe këto janë vetëm maja e ajsbergut. Janë faktuar lidhjet me drogën. Atëherë, ne duhet të organizojmë format më të vendosura të protestës, të qëndresës, të revoltës”, tha Berisha.
Sipas Berisha mazhoranca ka “asgjësuar parlamentin”.
“Një qeveri, e cila përgatit zgjedhjet e lira, është kushti i të gjitha kushteve për ne. Është thirrur data 22 dhjetor për protestë kombëtare. Protestat tona do të diversifikohen me greva, me greva urie, me të gjitha format, në qoftë se ne përmbushim misionin tonë. Dhe ne jemi të vendosur ta përmbushim”, u shpreh Berisha.
Berisha tha se me këtë regjim është jetike protesta e qëndrueshme, revolta e qëndrueshme.
Gjithashtu, Berisha kërkoi edhe angazhimin e të rinjve.
“Angazhimi sa më shumë i të rinjve në këtë betejë, të cilën opozita do të fitojë, shqiptarët do e fitojnë”, tha Berisha.
Berisha shtoi më tej se “opozita është në një mision të vërtetë. Në një mision që kërkon sakrifica. Dhe unë jam i bindur se janë qindra dhe mijëra shqiptarë të gatshëm për sakrifica”.
