-0.2 C
Skopje
E shtunë, 20 Dhjetor, 2025

Fjalimi i kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti në Kongresin e pestë të partisë

Të nderuar delegatë të Kongresit të pestë të Bashkimit Demokratik për Integrim,

Të nderuar mysafir,

Të nderuar përfaqësues të partive politike,

Të respektuar përfaqësues të korit diplomatik,

Të dashur përfaqësues të mediave,

Motra dhe vëllezër, qytetarë të vendit tonë të përbashkët,

Sot jemi mbledhur në një moment të rëndësishëm jo vetëm për Bashkimin Demokratik për Integrim, por për vetë rrugëtimin shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

Ky Kongres nuk është vetëm një stërvitjeorganizative brenda partiake. Por, është një ndalesë reflektimi dhe një pikë nisjeje për fazën e ardhshme të vendit tonë.

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk lindi si parti e zakonshme.

Ne lindëm nga nevoja për paqen, nga kërkesa për barazi, dhe nga bindja e thellë se ky vend mund të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse është i drejtë dhe me mundësi të barabarta.

Nga një periudhë tejet e ngarkuar për vendin, ne e ndërtuam paqen përmes Marrëveshjes Paqesore të Ohrit.

Por dua ta them qartë: Ohri nuk ishte kompromis i zakonshëm, por ishte dhe vazhdon të jetë vizion dhe përgjegjësi e përbashkët për të ndërtuar të ardhmen Euro-Atlantike të vendit me barazi të plotë dhe demokraci funksionale.

Nga lufta për të drejta, kaluam në ndërtimin e institucioneve.

Nga përballjet e zakonshme politike, kaluam në shtetformim.

Sot, BDI është një forcë që mbron karakterin unitar të shtetit, jo përmes imponimit, por përmes besimit, përfaqësimit dhe barazisë funksionale.

Koha kërkon maturi dhe përgjegjësi.

Bota sot po përballet me rreziqe reale të sigurisë globale.

Konflikte të reja, kriza energjetike, presione ekonomike dhe transformime teknologjike që po endryshojnë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë.

Vendi ynë ndodhet para përballjeve serioze: emigrimi i të rinjve, pabarazia rajonale, rënia e besimit në institucionet dhe lodhjen e shoqërisë nga politikat e zhurmshme dhe të paqëndrueshme.

Në këtë realitet, eksperimentet politike janë rrezik.

Populizmi është rrezik.

Politikat që e relativizojnë stabilitetin janë rrezik.

Sot më shumë se kurrë, shtetit i duhet pjekuri politike dhe vizion afatgjatë.

Përforcim i karakterit unitar të shtetit

Të dashur vëllezër e motra,

Ne besojmë fuqishëm se shteti unitar i Maqedonisë së Veriut forcohet vetëm atëherë kur të gjithë qytetarët ndihen të përfaqësuar realisht dhe të përfshirë në vendim-marrje.

Uniteti nuk ndërtohet me shumicë mekanike dhe majorizim.

Uniteti ndërtohet me legjitimitet të dyfishtë, me konsensus dhe me respekt të ndërsjellë.

Shteti unitar i Maqedonisë së Veriut mund të jetë funksional dhe i qëndrueshëm vetëm nëse mbështetet mbi besimin dhe lojalitetin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në të. Në këtë drejtim, propozojmë tre masa kyçe që garantojnë përfaqësim të drejtë, barazi funksionale dhe kohezion shoqëror, në frymën e Marrëveshjes Paqesore së Ohrit:

E para, Zgjedhja e Qeverisë me shumicë të dyfishtë (Badenteri Ekzekutiv)

• Propozojmë që çdo përbërje e re e Qeverisë të marrë besimin e Kuvendit jo vetëm me shumicën e deputetëve, por edhe me shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë.

• Kjo do të sigurojë që qeveria të gëzojë legjitimitet të dyfishtë dhe të jetë realisht përfaqësuese për të gjitha etnitë.

• Ky mekanizëm është garanci për funksionimin e barabartë të shtetit dhe për ruajtjen e kohezionit ndëretnik në nivelet më të larta të vendimmarrjes

E dyta, ⁠ ⁠Zbatimi i Parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese

• Ligjet që miratohen me shumicë të dyfishtë në Kuvend (në bazë të parimit të Badenterit), nuk duhet të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese pa shumicë të dyfishtë edhe në radhët e gjykatësve.

• Propozojmë ndryshime që do të mundësojnë që vendimet që prekin të drejtat e komuniteteve jo-shumicë të mos merren pa konsensus të ndërsjellë brenda Gjykatës.

• Kjo masë do të ruajë integritetin e ligjeve që miratohen me shumicë të dyfishtë, do të rrisë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe do të parandalojë çdo formë të majorizimit institucional.

E treta,⁠ ⁠Thellimi i Decentralizimit dhe Vetëqeverisjes Lokale

• Propozojmë një fazë të re të decentralizimit funksional dhe fiskal, me transferim të mëtejshëm të kompetencave në fushat e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit lokal dhe administrimit të pasurive publike.

• Kërkojmë pavarësi financiare të njësive të vetëqeverisjes lokale, përmes një skeme të drejtë të kthimit të tatimeve dhe taksave në komunat ku ato grumbullohen.

• Qytetarët duhet të kenë qasje më të drejtpërdrejtë në shërbime publike dhe të kenë ndikim real në politikat që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme.

• Ky model decentralizimi do të forcojë demokracinë lokale, do të ulë ekonominë gri dhe do të rrisë cilësinë e jetës në të gjitha rajonet e vendit.

Ky propozim politik synon të konsolidojë unitetin e shtetit jo përmes dominimit të shumicës, por përmes partneritetit të barabartë ndëretnik, funksionimit të drejtë të institucioneve dhe fuqizimit të pushtetit lokal. Kjo është rruga e vetme për një Maqedoni të Veriut stabile, funksionale dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e saj.

Shteti i së drejtës dhe besimi në institucione

Të nderuar të pranishëm,

Pa institucione të forta, nuk ka shtet funksional.

Pa drejtësi të pavarur, nuk ka barazi.

Ne mbështesim institucione që funksionojnë pa kompromis ndaj korrupsionit, me profesionalizëm dhe përgjegjësi.

Drejtësia nuk guxon të jetë selektive.

Gjyqesori dhe prokuroria duhet të jenë të pavarura, me buxhet të mjaftueshem dhe me respektim të përpiktë të ligjit lidhur me financimin e tyre.

Ajo duhet të jetë garanci për çdo qytetar, pa dallim.

Qëndrimi i BDI-së është i qartë dhe i pandryshueshëm: ne kërkojmë veting të plotë dhe hetim gjithëpërfshirës, pa përjashtim.

• Mbështetje për propozim-ligjin e BDI-së për veting me mbikëqyrje ndërkombëtare, si garanci për drejtësi të pakompromis.

• Hetim për të gjithë bartësit e funksioneve publike në 34 vitet e fundit: ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë, gjyqtarë, prokurorë dhe polici.

• ⁠Verifikim i pasurisë dhe prejardhjes së saj për çdo funksionar publik.

• Hetim të thelluar për procesin e privatizimit që krijoi oligarkët e paprekshëm.

• Hetim për veprimtarinë e organeve të sigurisë së shtetit dhe zyrtëve të tyre që nga viti 1945 deri sot (OZNA, UDB, SDB, DBK, UBK, ANB).

Marrëveshje Kombëtare për Përparim

Të nderuar vëllezër e motra,

Vendi ynë ka kaluar nëpër momente të mëdha guximi. Botës i dhamë Marrëveshjen e Ohrit, përmes së cilës siguruam paqe dhe bashkëjetesë, si dhe dëshmuam pjekuri politike me Marrëveshjen e Prespës dhe me Marrëveshjen për Marrëdhënie të Mira Fqinjësore. Secila prej këtyre arritjeve lindi nga urtësia, nga sakrifica dhe nga një besim i thellë në të vërtetën se paqja është themeli i çdo gjëje të mire.

Por sot qëndrojmë para një Kapitulli të ri – një kapitulli në të cilin vetëm paqja nuk mjafton dhe vetëm stabiliteti nuk mjafton. Qytetarët tanë kërkojnë më shumë. Fëmijët tanë meritojnë më shumë. Prandaj ka ardhur koha për një marrëveshje të re historike –  një marrëveshje jo për mbijetesë, por për përparim – Marreveshje Kombëtare për Përparim.

Ne dimë të ndërtojmë paqe. Tani duhet të dëshmojmë se dimë të ndërtojmë edhe përparim. Marrëveshja Kombëtare për Përparim nuk është vetëm një politikë – është një angazhim i gjithë komuniteteve që jetojnë në Republikën tonë dhe i ekspertëve të fushave përkatëse. Marrëveshja është një zotim moral, një premtim ndaj fëmijëve tanë dhe një vizion i një vendi ku ëndrrat janë të realizueshme dhe dinjiteti është i garantuar.

Le të bëhet kjo Marrëveshje, arritja jonë kombëtare e radhës– momenti kur stabiliteti do të kthehet në progres dhe paqja do të shndërrohet në përparim. Le të mbetet si dëshmi se ne u bashkuam jo vetëm për të shmangur konfliktin, por për të ndërtuar një jetë më të mirë për çdo qytetar. Përparimi është më i fortë, më i qëndrueshëm dhe më i bukur kur ndahet me të gjithë.

Një e ardhme më e begatë na pret. Së bashku, me urti, unitet dhe vendosmëri, do ta ndërtojmë ardhmërinë tonë përparimtare Europiane.

Ne besojmë se përparimi i vërtetë nuk matet vetëm me shifra ekonomike, por me cilësinë e jetës, me drejtësinë sociale dhe me mundësitë reale që u krijojmë qytetarëve tanë. Vizionin tonë e ndërtojmë mbi një model zhvillimi që është konkurrues, i drejtë, i qëndrueshëm dhe tërësisht Europian.

Marrëveshja Kombëtare për Përparim është një vizion i zhvillimit të përbashkët:

Në qendër të këtij vizioni qëndron një ekonomi konkurruese dhe moderne, e udhëhequr nga sektori privat dhe inovacioni. Një ekonomi ku konkurrenca është e ndershme, ku monopoleve, oligarkisë dhe ekonomisë joformale u vihet kufi, dhe ku sistemi tatimor është i drejtë, efikas dhe i barabartë për të gjithë. Mbështetja për biznesin duhet të jetë transparente, e bazuar në performancë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke nxitur investime, punësim dhe integrim në zinxhirët evropianë të vlerës.

Transformimi digjital është katalizator i domosdoshëm i këtij zhvillimi. Digjitalizimi i administratës, i ekonomisë dhe përdorimi strategjik i teknologjive të avancuara dhe Inteligjencës Artificiale do të rrisin produktivitetin, do të përmirësojnë shërbimet publike dhe do të krijojnë vende pune me vlerë të lartë për brezat e rinj.

Por nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa stabilitet makroekonomik dhe financa publike të shëndosha. Ne angazhohemi për disiplinë fiskale, transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen e investimeve kapitale dhe për një menaxhim modern të financave publike. Digjitalizimi i buxhetit dhe kontrolli i shpenzimeve janë garanci për besueshmëri, transparencë dhe përgjegjësi.

Një administratë tatimore e drejtë dhe moderne është shtyllë e këtij modeli. Digjitalizimi i plotë i proceseve tatimore, rimbursimi në kohë i TVSH-së, sistemi elektronik pagesor dhe lufta kundër ekonomisë joformale krijojnë konkurrencë të ndershme, rrisin besimin e bizneseve dhe forcojnë bazën tatimore pa rritur barrën mbi qytetarët.

Zhvillimi ynë duhet të jetë edhe i gjelbër dhe i qëndrueshëm. Një ekonomi e fortë ndërtohet mbi një mjedis të pastër, mbi energji të sigurt dhe të përballueshme dhe mbi përdorimin racional të burimeve natyrore. Investimet në energji të ripërtëritshme, efikasitet energjetik dhe bujqësi moderne janë investime në siguri, pavarësi dhe përparim afatgjatë.

Infrastruktura moderne është kusht për zhvillim të barabartë. Pozicioni ynë strategjik në korridoret panevropiane (Korridori 8 dhe 10) duhet të shndërrohet në avantazh real ekonomik. Investimet në transport, logjistikë, lidhshmëri digjitale dhe infrastrukturë komunale përmirësojnë cilësinë e jetës dhe krijojnë mundësi për çdo rajon të vendit. Turizmi përfaqësues, i mbështetur në pasuritë tona natyrore dhe kulturore, mund të bëhet motor i zhvillimit lokal.

Në qendër të çdo politike qëndron njeriu. Kapitali njerëzor është pasuria jonë më e madhe. Arsimi cilësor, i lidhur me tregun e punës, shëndetësia moderne dhe gjithëpërfshirëse, si dhe siguria sociale e qëndrueshme janë baza e një shoqërie të fortë dhe kohezive.

Dhe mbi të gjitha, rinia e përfshirë dhe e fuqizuar është garancia e së ardhmes. Të rinjtë duhet të shohin perspektivë këtu, jo jashtë vendit. Përmes arsimit, inovacionit, sipërmarrjes, sportit dhe kulturës, ne krijojmë hapësirë për pjesëmarrje, për kreativitet dhe për shpresë. Politikat tona synojnë të mbajnë të rinjtë në vend, të rikthejnë profesionistët dhe ta shndërrojnë diasporën në partner zhvillimi.

Një shoqëri gjithëpërfshirëse, e ndërtuar mbi barazi, respekt dhe solidaritet, është themeli i përparimit të përbashkët. Dhe ne besojmë fuqishëm se përparimi është më i fortë kur krijohet dhe ndahet me të gjithë.

⁠Integrimi Evropian – Rruga jonë e pakthyeshme

Të nderuar të pranishëm,

Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO përfaqëson realizimin e njërit prej përcaktimeve tona strategjike, duke forcuar sigurinë dhe stabilitetin e vendit, duke rritur kredibilitetin ndërkombëtar dhe duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillim ekonomik dhe investime.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është gjithashtu përcakim i ynë strategjik shtetëror dhe orientimi ynë i pakthyeshëm politik. Ai nuk është thjesht një proces teknik apo diplomatik, por zgjedhja jonë historike për një shtet modern, demokratik dhe funksional, të ndërtuar mbi vlera europiane dhe standarde të larta të qeverisjes.

Ne nuk i bëjmë reformat për Brukselin.

Ne i bëjmë për qytetarët tanë.

I bëjmë për institucione më të forta dhe më të besueshme, për drejtësi të pavarur, për ekonomi konkurruese dhe për një standard më të lartë jetese për çdo familje. Integrimi evropian është rruga për ta bërë shtetin të funksionojë më mirë, për ta bërë administratën më efikase dhe për ta forcuar sundimin e ligjit.

Procesi i integrimit është gjithashtu proces i stabilitetit dhe sigurisë. Ai garanton paqe afatgjatë, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe rol aktiv të vendit tonë në arkitekturën europiane të sigurisë dhe zhvillimit. Përmes integrimit europian, Maqedonia e Veriut konsolidon demokracinë e saj, forcon kohezionin shoqëror dhe mbron karakterin multietnik të shtetit si vlerë, jo si pengesë.

BDI respekton dhe mbështet identitetin kombëtar maqedonas në procesin e integrimit europian, duke vlerësuar se vetem një shtet i konsoliduar dhe integruar në BE mund të ruaj dhe kultivojë identitetet kombëtare të popujve këtu.

BDI ka qenë dhe do të mbetet garant i kursit evropian të vendit. Ne kemi marrë vendime të vështira, por të drejta, gjithmonë duke pasur parasysh interesin afatgjatë të shtetit dhe të qytetarëve. Ne kemi dëshmuar se dimë të udhëheqim me përgjegjësi, me maturi politike dhe me vizion strategjik.

Si partner i besueshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe faktor stabiliteti në rajon, BDI mbetet e përkushtuar ndaj reformave evropiane, dialogut politik dhe konsensusit shoqëror. Integrimi evropian nuk është alternativë – është rruga jonë e vetme drejt një të ardhmeje më të sigurt, më të drejtë dhe më të begatë.

Kjo është rruga jonë e pakthyeshme.

Kjo është përgjegjësia jonë historike.

Dhe kjo është e ardhmja që do ta ndërtojmë bashkë.

⁠Thirrje për të ardhmen

Të dashura motra e vëllezër,

BDI hyn në një fazë të re politike: më e hapur, më moderne dhe më e përgjegjshme.

Ne u bëjmë thirrje të rinjve, grave, profesionistëve dhe diasporës të bëhen pjesë aktive e këtij procesi shtetformues.

E ardhmja nuk ndërtohet me zhurmë, por me vizion.

Jo me ndasi, por me barazi.

Jo me eksperimente, por me përgjegjësi shtetërore.

BDI do të vazhdojë të jetë forca e unitetit, stabilitetit dhe integrimit Europian.

E ardhmja nuk pret.

Ne kemi përgjegjësinë ta ndërtojmë bashkë.

Bashkë, me urti, unitet dhe vendosmëri, do ta ndërtojmë ardhmërinë tonë përparimtare Europiane.

Ju faleminderit.

Bashkimi Demokratik për Integrim

Të ngjajshme

Të fundit