Në prag të përfundimit të vitit Maqedonia e Veriut përballet me paralajmërime serioze për greva, protesta dhe bllokada që mund të shënojnë fillimin e vitit 2026. Kërkesa e Lidhjes së Sindikatave për rritjen e pagës minimale në 600 euro nuk është vetëm një betejë sindikale, por një përplasje e hapur për rolin e shtetit në mbrojtjen e dinjitetit të punës dhe të jetesës minimale, që në realitet ky është kushti elementar bazik për mbijetesë, shkruan Zhurnal.
Paga më të larta ose në rrugë –
“Po ashtu pamë hedhjen e topit nga përfaqësuesit e Qeverisë që të merren vesh sindikatat dhe punëdhënësit. Nëse mendojmë se kështu i nënvlerësojmë punëtorët, do të krijojmë revoltë edhe më të madhe. Duke pasur parasysh, nëse mund të biem dakord kështu, hajde të biem dakord se sa të jetë çmimi i rrymës, sa të jetë çmimi i bukës, sa të jetë çmimi i ujit. Qeveria nuk mund të jetë vëzhgues i heshtur apo vetëm ndërmjetës. Qeveria është përfaqësuese e shtetit, dhe shteti, nëse nuk i frenon ose nuk i detyron punëdhënësit t’i rrisin pagat, punëtorët kurrë nuk mund të dalin fitues nga ai rreth i mbyllur dhe magjik, që vazhdimisht rrotullohet, ndërsa ata thonë se edhe 400 euro janë shumë, e lëre më 500 apo 600 euro”, tha Ivan Peshevski – nënkryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë për Alsat.
Kjo deklaratë sqaron një frustrim të akumuluar ndër vite. Kur qeveria “hedh topin” mes sindikatave dhe punëdhënësve, ajo në fakt po shmang përgjegjësinë kushtetuese për të garantuar standard minimal jetese. Në një realitet ku çmimet e energjisë, ushqimit dhe shërbimeve rriten ideja që pagat të mbeten rezultat i një marrëveshjeje “vullnetare” mes palëve më shumë shihet si anashkalim sesa zgjidhje e duhur.
Argumenti i Peshevskit është thelbësor nëse shteti ndërhyn për të rregulluar çmimin e rrymës, të ujit apo të karburanteve, pse të mos ndërhyjë edhe për çmimin e punës? Në këtë kuptim, paga minimale nuk është luks, por instrument mbrojtës kundër varfërisë së punës, fenomen që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.
Nga ana tjetër, pozicionimi i opozitës LSDM e zhvendos debatin në terren politik, duke e paraqitur qeverinë aktuale si financiarisht të paaftë për të përmbushur edhe obligimet bazike. Akuzat se shteti nuk ka para “as për punëtorët, as për pensionistët, as për bujqit” krijojnë një narrativë alarmante një buxhet i shteruar që po i nënshtrohet prioriteteve të dyshimta, ndërsa qytetarët mbesin peng i kalkulimeve politike.
Qeveria, ndërkohë, mban një qëndrim pasiv, duke deklaruar se do të pranojë çdo marrëveshje mes punëtorëve dhe punëdhënësve. Por ky neutralitet është në fakt një zgjedhje politike, që rrezikon ta kthejë shtetin në vëzhgues të heshtur të thellimit të pabarazive sociale. Harmonizimi ligjor prej 1.500 deri në 2.000 denarë është larg çdo logjike ekonomike që merr parasysh inflacionin real dhe koston e jetesës.
Krahasimi rajonal e bën situatën edhe më të ndjeshme. Ndërsa Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina po ecin drejt pagave minimale që i afrohen ose tejkalojnë mesataren e Maqedonisë së Veriut, vendi jonë rrezikon të mbetet shembull negativ i pagave të ulëta në Ballkan. Kjo nuk prodhon vetëm pakënaqësi sociale, por edhe emigrim të vazhdueshëm të fuqisë punëtore drejt evropës.
Kujtojmë që, sipas LSM nuk ngelet zgjidhje tjetër paga më të larta ose dalin në rrugë për të kërkuar një të drejtë bazike. Trajtim dinjitoz që tu përgjigjet standardeve minimale për të mbijetuar. Nuk kërkohen paga për jetë luksi por paga për të mbushur nevojat elementare bazike për jetë. /Zhurnal.mk
