5.8 C
Skopje
E enjte, 25 Dhjetor, 2025

OVL-UÇK pas vdekjes së babait të “Calit” shprehin shqetësimin që ai nuk u lejua nga Specialja ta vizitojë sa ishte i sëmurë

Pas vdekjes së babait të Salih Mustafës, Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë shprehur indinjatën dhe shqetësimin e thellë që Dhomat e Specializuara në Hagë nuk ia mundësuan Saliu Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij.

“OVL UÇK shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili tashmë ka ndërruar jetë, pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit. Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale. Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore. Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar. Ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën bacën Jahja”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK.

Të ngjajshme

Të fundit