14.8 C
Skopje
E premte, 27 Shkurt, 2026

Fatmir Spahiu bën thirrje për solidaritet pas reshjeve të mëdha në Kosovë

Reshjet e mëdha të shiut që kanë përfshirë ditët e fundit Kosovën pritet të lënë pasoja të rënda ekonomike për shumë familje, veçanërisht në zonat e Drenicës dhe Dukagjinit, informon POPULLI.mk

Lidhur me këtë situatë, aktori i njohur Fatmir Spahiu ka reaguar publikisht, duke shprehur gatishmërinë e tij për t’u angazhuar në iniciativa humanitare në ndihmë të familjeve të prekura nga vërshimet.

“Sikur edhe në të kaluarën, jam i gatshëm të marr pjesë si organizator, bashkëorganizator apo në çfarëdo forme tjetër në ndonjë ngjarje që do të grumbullonte mjete për familjet e dëmtuara”, ka deklaruar Spahiu.

Ai ka theksuar se një organizim i tillë duhet të bëhet në koordinim institucional dhe komunal, ndërsa grumbullimi i mjeteve financiare do të duhej të realizohej nga institucionet përkatëse, me përkrahjen e artistëve dhe qytetarëve.

Spahiu shprehu bindjen se një nismë e tillë do të gëzonte mbështetje të gjerë edhe nga artistë, sportistë dhe figura të tjera publike, duke nënvizuar rëndësinë e solidaritetit në kohë të vështira.

“Në këtë moment, lutemi që dëmet të jenë sa më të vogla. Si gjithmonë, jemi bashkë”, ka përfunduar ai. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit