Irani po përjeton një nga valët më të mëdha të protestave antiqeveritare në dekada, një lëvizje e nxitur fillimisht nga problemet ekonomike, përfshirë rënien e monedhës kombëtare dhe rritjen e kostos së jetesës, por që është zgjeruar në kërkesë më të gjerë për largimin e regjimit.
Shtypja e protestave nga fuqitë e sigurisë iraniane ka qenë jashtëzakonisht brutale me përdorim të forcës së madhe dhe masa të ashpra për të ndaluar protestat.
Organizata për të drejtat e njeriut me seli në SHBA, HRANA, ka raportuar se numri i viktimave ka arritur në mbi 2400 persona, përfshirë protestues, figura të lidhura me qeverinë, si dhe fëmijë e civilë qe nuk morën pjesë në protesta. Kjo Organizatë gjithashtu ka dokumentuar mijëra arrestime dhe lëndime serioze gjatë trazirave të vazhdueshme.
Disa burime raportojnë edhe shifra shumë më të larta të viktimave. Sipas një raporti të CBS News, bazuar në burime brenda Iranit, numri i të vrarëve mund të jetë mes 12 000 deri në 20 000 persona, megjithëse këto të dhëna janë të vështira për t’u verifikuar për shkak të kufizimeve të komunikimit.
Presidenti amerikan Donald Tramp, i ftoi iranianët të vazhdojnë me protestat duke premtuar se do t’u ofrojë ndihmë, por duke mos precizuar se çfarë më saktë nënkupton me këtë. Në një intervistë për CBS News, Tramp nënvizoi se SHBA-të do të ndërmarrin masa shumë të ashpra ndaj Iranit nëse regjimi fillon t’i varë protestuesit.
“Nuk kam dëgjuar për varjet deri tani. Nëse i varin protestuesit do të shihni disa gjëra…Ne do të ndërmarrim veprime shumë të forta nëse bëjnë diçka të tillë…”, tha Donald Trump, president i SHBA-së.
Pushteti në Iran ka ndërprerë edhe qasjen në internet dhe celular në vend, duke e izoluar popullin iranian nga pjesa tjetër e botës. Për shkak të përkeqësimit të situatës në Iran, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, u bëri thirrje shtetasve të Maqedonisë që gjenden në territorin iranian ta lëshojnë vendin në mundësinë e parë./ Alsat.mk
