Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në konferencë për shtyp para Gjykatës Kontestuese njoftoi se ka ngritur nismë kundër ndryshimeve të Ligjit për Kundërvajtje, që mundësoi hyrjen në fuqi të sistemit “Safe City”, përcjell TV21. Sela tha se fillimisht, ndryshimet ligjore nuk është dashur të hyjnë në procedurë të shpejtë dhe pa debat publik, ndërsa theksoi se para Kushtetutës, qytetarët duhet të jenë të barabartë.
“Nuk mund të ndahet implementimi i këtij projekti me zona të caktuara, për shkak se kjo lloj ndarje të jep të kuptosh, të besosh dhe të dyshosh që ka për qëllim zhvatjen e një kategorie të qytetarëve”, tha mes tjerash Sela
Sela kritikoi edhe vendosjen e kamerave me koncentrim më të lartë në vende të caktuara.
“Brenda qytetit të Shkupit janë të koncentruara sidomos në Çair dhe sidomos në vendet në të cilat infrastruktura horizontale dhe vertikale e shenjave të komunikacionit lënë shumë për të dëshiruar. Në vende ku mungojë hapësira për parkingje dhe në vende ku janë paraparë pastaj dënime që janë goxha të mëdha për xhepin e qytetarëve”, pohoi Sela.
Ndryshe, kontestimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese e paralajmëruan edhe nga ASH-Taravari, i pyetur për këtë, Sela tha se “Temat serioze nuk u lihen në dorë njerëzve joseriozë./tv21.tv
