Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë të publikuar së fundmi me BBC ka folur lidhur me nënshkrimin e Bordit të Paqes të Trump për Gazën ku ajo ishte e pranishme në Davos. Osmani gjatë fjalës së saj theksoi se Kosova e di se si arrihet paqja, duke theksuar rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ajo u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është hap historik për Republikën e Kosovës. Osmani theksoi se 26 vjet më parë Kosova ishte e shkatërruar nga lufta dhe se ndaj popullit po kryhej gjenocid. Osmani u shpreh ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera demokratike, i hapi rrugë paqes, lirisë dhe pavarësisë së vendit.
“Le të kthehemi pak pas në kohë, 26 vjet më parë. Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Kundër popullit të Kosovës po kryhej gjenocid dhe, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, natyrisht me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike në mbarë botën jetët tona u shpëtuan. Na u dha një shans për paqe. Na u dha një shans për të jetuar të lirë. Dhe sot, ne jemi sovranë, jemi demokratikë, jemi të pavarur dhe, më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e kombit tonë që nuk e ka njohur luftën dhe që po e shijon paqen. Ne e dimë se si mund të arrihet paqja dhe ajo mund të arrihet përmes veprimit. Në atë kohë, unë isha një fëmijë lufte, duke u rritur nën granata dhe, si të gjithë të tjerët në brezin tim, jetët tona ishin në rrezik. Por thelbi është ky: ajo që po dëgjonim atëherë ishin rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ishin copa letre, ishin fjalë, por nuk kishte asnjë veprim, derisa SHBA-ja ndërhyri dhe mobilizoi botën për të na ardhur në ndihmë”, u shpreh Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës./Alsat.mk
