Zëra të ndryshëm brenda koalicionit VLEN po flasin gjithnjë e më hapur se ndarja e brendshme tashmë është bërë fakt.
Shkruan POPULLI.mk
Sipas këtyre burimeve, raporti i fuqive brenda koalicionit është përcaktuar në mënyrë joformale. BESA dhe Lëvizja Demokratike pritet të marrin nga 40 për qind secila, Alternativa rreth 15 për qind, ndërsa pjesa e mbetur, rreth 5 për qind, i atribuohet Arben Fetait.
Megjithatë, realiteti në Qeveri duket se flet ndryshe. Deri tani, Alternativa ka arritur të sigurojë numrin më të madh të pozicioneve të forta dhe me peshë vendimmarrëse, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi të thella te aktivistët dhe strukturat e partive të tjera brenda VLEN-it. Kjo pakënaqësi buron sidomos nga fakti se forca reale në terren dhe angazhimi elektoral nuk përkthehen proporcionalisht në pushtet institucional.
Ky disproporcion mes kontributit politik dhe përfitimit qeveritar po e tensionon klimën e brendshme të koalicionit. Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë po përflitet skenari që VLEN, në praktikë, të ketë dy kryetarë apo dy figura dominuese; Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin. Një zhvillim i tillë mund ta thellojë edhe më tej dilemen mbi funksionimin e brendshëm, unitetin politik dhe drejtimin strategjik të koalicionit në të ardhmen. / © POPULLI.mk
