2.8 C
Skopje
E mërkurë, 28 Janar, 2026

DERI KUR ME “NJOFSI” DO FUNKSIONOJË SHTETI?!

DERI KUR ME “NJOFSI” DO FUNKSIONOJË SHTETI?!

Nëse joprofesionalizmi dhe mospërgatitja e duhur për një kandidate në një komision të caktuar krijoi aq shumë bujë mediatike, a thua vallë sa bujë duhet krijuar për bartës të funksioneve të rëndësishme shtetërore të cilët nuk i përmbushin kushtet elementare për pozitën që kanë marrë?! Të shumtë janë ata që posedojnë: diploma falco të gj. angleze, diploma të blera kryesisht në Bullgari (fusha e vetme që ia shohim “dobitë” shtetit fqinj), diplomë mjeku me zotim të të drejtës ndërkombëtare, diplomë koti e blerë “sot për nesër” vetëm si dokumentacion për t’u bërë drejtor në institucion etj.

Fatkeqësisht, në raste të tilla viktimizohen kandidatët, ata që shfaqen para “aktit të kryer”, i nxjerrin para kamerave pa përgatitje dhe informim paraprak dhe si rrjedhojë bëhen skandal mediatik dhe fajtorë të vetvetes. Mirëpo, fajtorët kryesorë janë ata që ua rahin shpinën vazhdimisht dhe u thonë “ti mundesh” (siç themi në zhargonin e popullit “ia bën rrafsh”) sa për ta hequr qafe dhe në fund ballafaqohen me dëshpërim.

Nga politikbërja klaniste dhe lokaliste me mendësi se “ia bëjm”, nuk udhëhiqen politikat shtetërore, aq më shumë kur ndërhyrja bëhet në institucione të pavarura nga partitë politike. Në përgjithësi në Ballkan (duke pasur përjashtime të caktuara), më lehtë emërohesh deri në pozitat zv.kryeministër, ministër, zv.ministër, drejtor dhe zv.drejtor (sepse kryesisht janë me marrëveshje paraprake), ndërsa thuajse është utopike punësimi normal në institucionet shtetërore si nëpunës i caktuar, bashkëpunëtor i ri dhe zyrtar i thjeshtë, pavarësisht se i plotëson kushtet dhe aplikon me procedurë të rregullt në konkurset e shpallura (sepse kryesisht nuk ke bërë marrëveshje paraprake dhe rezultati është: “nuk i plotëson” kushtet).

Gjendje e mjerrueshme e cila në mënyrë indirekte po e përjashton popullatën nga vendlindja drejt rrugëve të migrimit!

Të ngjajshme

Të fundit