12.8 C
Skopje
E premte, 1 Maj, 2026

Hoxha pas emërimit nënkryetar i BDI-së: “Ky hap është përgjegjësi, jo pushtet personal”

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, me propozim të kryetarit Ali Ahmeti, Arjanit Hoxha u zgjodh nënkryetar i partisë, informon POPULLI.mk

Në një deklaratë publike pas vendimit, Hoxha theksoi se ky moment shënon përmbylljen e një kapitulli sfidues politik dhe hapjen e një etape të re me përgjegjësi më të madhe.

“Sot u përmbyll një kapitull që nuk ka qenë as i lehtë e as i shkurtër, për t’i hapur rrugë një kapitulli të ri. Me propozim të Kryetarit z. Ali Ahmeti dhe me vendim të Këshillit të Përgjithshëm, më është besuar përgjegjësia për të ushtruar detyrën e Nënkryetarit të BDI-së,” deklaroi ai.

Hoxha theksoi se ky emërim nuk ndryshon kauzën e tij politike, e cila mbetet përfaqësimi dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Së bashku me kolegët që sot u zgjodhën anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm dhe që më kanë shoqëruar në këtë rrugëtim politik, ne po bashkohemi në BDI me bindjen se vetëm të bashkuar mund t’i mbrojmë dhe avancojmë të drejtat e shqiptarëve,” tha Hoxha.

Ai nënvizoi se pranimi i kësaj detyre nuk është motivuar nga ambicie personale për pushtet, por nga ndjenja e përgjegjësisë.

“Ky hap nuk është për pushtet personal. Është për përgjegjësi më të madhe, për angazhim më të fortë dhe për një të ardhme ku zëri ynë dëgjohet dhe respektohet,” shtoi ai.

Në përmbyllje të mesazhit të tij, Hoxha theksoi se rrugëtimi politik vazhdon, ndërsa kauza mbetet e pandryshuar: bashkimi si forcë kryesore e veprimit politik. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit