Janë bërë 40 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 28 dhjetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka bërë certifikimi e rezultateve dhe një datë të saktë për këtë nuk ka.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se procesi zgjedhore ndodhet në fazën e ankesave dhe se ky institucion duhet të presë përfundimin e tyre.
“Aktualisht, procesi zgjedhor ndodhet në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e PZAP-it në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e ankesave përfundon sot. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë derisa vendimet të bëhen të plotfuqishme dhe më pas do të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, tha Elezi.
Gjersa, ende nuk janë certifikuar rezultatet, kryeministri në detyrë dhe kandidati fitues për kryeministër, Albin Kurti, ka folur rreth hapave që do të ndërmerren drejt krijimit të Qeverisë së re.
Kurti ka bërë të ditur se përbërja e qeverisë së ardhshme do të ketë shumë prej emrave të prezantuar më herët nga ai dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, por se ato nuk do të jenë identike.
“Do të ketë shumë prej emrave që i kemi prezantuar unë dhe Glauk Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, por nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë”, ka deklaruar Kurti.
Rreth kritereve që do të ndikojnë në përzgjedhjen e ministrave të rinj, ndryshime të mundshme në dikasteret kyçe, si ekonomia, financat apo dialogu me Serbinë, ka folur analisti politik Zejnullah Jakupi.
Jakupi për “Bota sot”, thotë se dikasteret kyçe – si Financat, Punët e Brendshme, Drejtësia dhe Mbrojtja – propozimet tregojnë synimin për kontinuitet dhe kontroll të fortë qeverisës.
Sipas tij, deklaratat e fundit të kryeministrit sugjerojnë se ndryshimet nuk janë të përjashtuara, sidomos në ministritë ku ka pasur kritika publike, sfida në zbatim apo nevojë për energji të reja profesionale.
“Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përbërja e Qeverisë së ardhshme nuk do të jetë identike me emrat e prezantuar më herët, duke sinjalizuar një qasje të bazuar në vlerësimin e performancës, efikasitetin institucional dhe nevojën për një fazë të re qeverisëse. Lista e ministrave të propozuar deri më tani reflekton vazhdimësinë e linjës politike të Qeverisë aktuale, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, forcimin e shtetit dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Në dikasteret kyçe – si Financat, Punët e Brendshme, Drejtësia dhe Mbrojtja – propozimet tregojnë synimin për kontinuitet dhe kontroll të fortë qeverisës. Megjithatë, deklaratat e fundit të Kryeministrit sugjerojnë se ndryshimet nuk janë të përjashtuara, sidomos në ministritë ku ka pasur kritika publike, sfida në zbatim apo nevojë për energji të reja profesionale. Kjo tregon se kriteri kryesor nuk do të jetë thjesht përkatësia politike, por rezultati konkret dhe përputhshmëria me prioritetet strategjike të qeverisë”, deklaron Jakupi.
Ai parasheh një përbërje të ardhshme të qeverisë të kombinuar mes kontinuitetit dhe rikalibrimit funksional
“Në raport me dialogun me Serbinë dhe politikën e jashtme, pritet që, pavarësisht emrave, qasja politike të mbetet e pandryshuar, pasi ky proces vazhdon të jetë i centralizuar dhe i udhëhequr drejtpërdrejt nga Kryeministri. Në përmbledhje, përbërja e ardhshme e Qeverisë pritet të jetë rezultat i një kombinimi mes kontinuitetit dhe rikalibrimit funksional. Ndryshimet eventuale do të kenë më shumë karakter korrektues sesa transformues, me synimin për një qeveri më efikase, më të disiplinuar dhe më të përqendruar në zbatimin e programit qeverisës. Në diskutimet për përbërjen e Qeverisë së ardhshme, vëmendja publike shpesh përqendrohet te emrat e ministrave dhe ndryshimet eventuale në kabinet. Megjithatë, përtej rotacioneve personale, ekzistojnë elemente thelbësore të qeverisjes që nuk pritet të ndryshojnë, pasi ato përbëjnë boshtin politik dhe ideologjik të udhëheqjes së Kryeministrit Albin Kurti”, shprehet analisti.
Jakupi flet rreth ndryshimeve dhe ngjashmërive në qeverinë e ardhshme, gjersa shton se kontrolli i fortë i kryeministrit mbi ministrat pritet të vazhdojë.
“Së pari, qasja ndaj dialogut me Serbinë pritet të mbetet e pandryshuar. Ky proces ka qenë dhe vazhdon të jetë i centralizuar drejtpërdrejt te Kryeministri, duke reflektuar bindjen se çështjet e sovranitetit dhe integritetit shtetëror nuk mund të delegohen plotësisht. Edhe nëse ndryshojnë emrat e ministrave apo zyrtarëve përgjegjës, linja politike dhe vendimmarrja strategjike do të vazhdojnë të udhëhiqen nga Kurti, me pak hapësirë për devijime individuale. Së dyti, diskursi për sovranitetin dhe shtetin mbetet një shtyllë konstante e qeverisjes së tij. Retorika politike e Kurtit është ndërtuar mbi idenë e forcimit të shtetit, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesit publik, shpesh edhe përballë presioneve të jashtme. Ky diskurs nuk lidhet me persona të veçantë në qeveri, por me vetë filozofinë politike të Kryeministrit, çka e bën atë të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj ndryshimeve të brendshme. Së treti, kontrolli i fortë i Kryeministrit mbi ministrat pritet të vazhdojë”, shton Jakupi.
Në fund, ai thotë se ndonëse emrat e ministrave mund të ndryshojnë dhe kabineti të pësojë rifromatime, filozofia e qeverisjes mbetet e njëjtë.
“Modeli i qeverisjes së Kurtit karakterizohet nga disiplinë e lartë politike dhe autonomi e kufizuar individuale e ministrave. Ata funksionojnë më shumë si zbatues të një programi të përbashkët sesa si aktorë të pavarur politikë. Ky centralizim synon të shmangë fragmentarizimin e pushtetit dhe kontradiktat publike brenda kabinetit. Në përfundim, ndonëse emrat e ministrave mund të ndryshojnë dhe kabineti të pësojë riformatime, filozofia e qeverisjes mbetet e njëjtë. Qeveria e ardhshme e udhëhequr nga Albin Kurti pritet të jetë më shumë një vazhdimësi politike sesa një kthesë substanciale, duke dëshmuar se në këtë rast, ndryshimi i formës nuk nënkupton ndryshim të përmbajtjes”, përfundon analisti.
Burimi: botasot.info
