Rusia e vetme ka shkaktuar shumë më shumë dëm ndaj myslimanëve sesa të gjitha shtetet perëndimore së bashku! Kështu që, nëse muslimanët kanë për se t’i jenë të zemëruar Perëndimit, kjo nuk do të thotë se për inati të tyre duhet të jenë në anën e Rusisë!
Nga Rilind DAUTI
Sipas një ankete të OJQ-së IPIS të mbajtur nga 23-26 dhjetori i vitit që sapo e lamë pas, një pluralitet i përfaqësuar nga 47% e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut e mbështesin Ukrainën në luftën kundër Rusisë, ndërkaq, një përqindje po ashtu e madhe prej 41.4% qenkan neutralë.
Përqindja e madhe e neutralëve mund të shpjegohet me atë që Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe zyrtarët ukrainas disa herë kanë këmbëngulur në këtë qëndrim, apo me kujtimet e hidhura nga konflikti i vitit 2001 kur Ukraina e armatoste palën maqedonase dhe madje pilotët ukrainas i bombardonin fshatrat shqiptare. Por, befasia më e madhe e kësaj ankete është që 4.5% e respondentëve etnikisht shqiptarë të kësaj ankete, janë në anën e Rusisë!
Nëse nuk e shpërfillim këtë përqindje thjeshtë si gabim statistikor, atëherë ka një shpjegim përse ndodh kjo.
Ta krahasojmë me një rast tjetër, me djathtistët ekstremë amerikanë që e festonin fitoren e talibanëve në Afganistan. Edhe pse këta djathtistë janë ekstremistë krishterë që i urrejnë muslimanët, ata iu bashkëngjitën festimeve për fitoren e talibanëve sepse te kjo shihnin triumf kundër vlerave liberale,që djathtistët ekstremë amerikanë gjithashtu i urrejnë. Kështu ngjashëm, ka shqiptarë që e mbështesin Rusinë jo sepse e duan Rusinë por sepse Ukraina mbështetet nga Perëndimi që dekadave të fundit është shkaktar i shumë vuajtjeve të muslimanëve në Lindjen e Mesme me të cilët solidarizohen muslimanët në pjesët tjera të botës, përfshirë dhe ata shqiptarë. Shtoja kësaj që presidenti aktual i Ukrainës pat dalë me mbështetje për operacionet ushtarake të Izraelit ndaj palestinezëve, dhe fiton rezultat që ka shqiptarë që te kjo luftë e mbështesin Rusinë.
Një rol në këtë dukuri të papritur luan edhe depërtimi i teorive konspirative që thonë se shtetet perëndimore kontrollohen nga forca të fshehta sataniste dhe globaliste si Illuminatit dhe Masonët, e që duan ta pakësojnë dhe kontrollojnë njerëzimin, ndërsa Rusia duke qenë përballë shteteve perëndimore ajo lufton edhe kundër forcave të tilla të errëta.
Si faktor tjetër i supozuar për paraqitjen e këtij “tifozllëku” për Rusinë, disa mund ta konsiderojnë edhe ndikimin turk te shqiptarët. Domethënë, meqë Turqia dhe Rusia tani “i kanë rregulluar punët” dhe të dyja janë rivale të Perëndimit, kjo ka bërë që te shqiptarët turkofilë të paraqiten simpati edhe për Rusinë.Kjo teori është e gabuar sepse riafrimi aktual në mes Turqisë dhe Rusisë është tepër sipërfaqësor. Rusia dhe Turqia kanë qëndrime të kundërta për shumëçka: për pozitën e Asadit në Siri, për statusin e Krimesë, dhe janë pikërisht dronët turq ato me të cilët Ukraina ka bërë kërdi ndaj forcave ruse.
Por, një arsye tjetër, dhe që është tema kryesore e këtij shkrimi, është një karakteristikë e hetuar te muslimanët në vendet tjera të botës e që tani tek-tuk është paraqitur edhe te disa shqiptarë. Bëhet fjalë për urrejtjen e Perëndimit dhe simpatinë për Rusinë që vjen si rezultat i përqafimit të pikëpamjes arabocentrike ndaj botës.
Siç dihet, vendet arabe ishin nën kolonializmin e shteteve evropiane që ka lënë kujtime të këqija te ta, kurse në këtë shekull iu ndodhi pushtimi amerikan i Irakut dhe pasojat negative që ende vazhdojnë. Destabilizimi i Lindjes së Mesme çoi te vazhdimi i përzierjes së shteteve perëndimore (kryesisht SHBA-ve) përmes shkeljes së sovranitetit dhe bombardimine vazhdueshëm mbi Irakun, Sirinë, dhe Jemenin, që shkaktojnë vuajtje të madhe te njerëzit.
Këtë përvojë negative që arabët e kanë me Perëndimin, e krahasojnë me marrëdhëniet e mira që shumë shtete arabe i kishin me Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë. Dhe pikërisht këtë pikëpamje mund ta kenë përqafuar edhe muslimanët joarabë si klishe.
Pa marrë parasysh vërtetësinë e kësaj hipoteze për përqafimin e pikëpamjes arabocentrike ndaj botës te muslimanët joarabë, e vërteta është se me Perëndimin kanë përvojë negative edhe shumë muslimanë joarabë. Megjithatë, vështirë se të gjitha shtetet perëndimore së bashku kanë shkaktuar më shumë dëm ndaj muslimanëve sesa një Rusi e vetme!
Për shembull, shtetet perëndimore e kanë pushtuar Afganistanin, dhe qëndruan aty si pjesë e misioneve ISAF dhe RSM ku morën pjesë edhe Turqia dhe disa shtete tjera me shumicë muslimane, pormë herët Afganistanin e ka pushtuar edhe Bashkimi Sovjetik duke shkaktuar shumë më shumë viktima se shtetet perëndimore! Bashkimi Sovjetik e shkaktoi vdekjen e 500 mijë deri 2.5 milionë afganëve, dhe ishte pikërisht BRSS ai që e shkaktoi krizën me miliona refugjatë afganë. Shtetet perëndimore nuk e mbushën Afganistanin me mina, gjë që e bëri BRSS dhe pasojat tragjike për jetët dhe gjymtyrët e afganëve ndjehen sot e kësaj dite.Po ashtu, ushtarët amerikanë dhe të shteteve tjera perëndimore nuk e kishin shprehi të prekin në nderin e femrave afgane (përveç ndonjë rasti të paprecedentë), kurse ushtarët rusë përdhunimin e grave afgane e kishin shprehi të nënkuptuar.
Nga shekulli XIX, shtetet perëndimore e pushtuan Afrikën dhe Lindjen e Mesme ku për shumë dekada zbatuan kolonializëm që ka lënë pasoja edhe sot. Një gjë që i merret për të madhe Perëndimit është ndikimi kulturor që e ka lënë te popullsitë vendase përmes shkollimit. Por a thua kjo ishte më e dëmshme se politika e Rusisë Cariste që muslimanët nën pushtimin e saj t’i lërë të paarsimuar dhe të prapambetur? (Me qëllim që t’i sundojë më lehtë dhe mos të ketë kush t’i udhëheqë në kryengritje.)Kur Rusia Cariste u shndërrua në Bashkimin Sovjetik, u bë arsimimi masiv edhe i popullsisë muslimane. Por a thua ky shkollim ishte si në medrese apo ishte në bazë të ateizmit shtetëror që ishte doktrinë zyrtare e Bashkimit Sovjetik?Dhe a thua cila është më e dëmshme për Islamin: shkollimi sekular por që nuk e mohon fenë (i sjellë tek popujt muslimanë nga kolonialistët perëndimorë), apo shkollimi ateist që u bëhej popujve muslimanë në Bashkimin Sovjetik?
Njëri nga llojete kolonializmit ishte ai me vendosjen e popullsisë së pushtuesit në tokën e pushtuar (settler colonialism). Përveç se me Algjerinë (nga e cila Pied Noir-ët u larguan gati se qindpërqind), shtetet kolonialiste perëndimore këtë nuk e kanë bërë me asnjë vend tjetër të arabëve. Ndërkaq, Moska s’ka lënë vend të muslimanëve që ishte direkt nën Rusi apo ndonjë republikë sovjetike pa e mbushur me rusë, aq sa Republika Socialiste Sovjetike e Kazakistanit kishte më shumë ardhacakë rusë sesa kazakë vendas!
Gjatë kohë pas largimit të sundimit kolonial, më 2001 në Afganistan dhe më 2003 në Irak, shtetet perëndimore u rikthyen ushtarakisht në tokat e muslimanëve. Megjithatë, ata nuk e shfuqizuan subjektivitetin ndërkombëtar të Afganistanit dhe Irakut, dhe SHBA ka shpenzuar miliarda dollarë për rindërtimin dhe stabilizimin e këtyre shteteve muslimane. Dhe sot, nuk ka asnjë vend të muslimanëve në botë që është nën okupimin, e aq më pak nën sovranitetin, e ndonjë shteti perëndimor. Por e kundërta vlen për Rusinë. Rusia Cariste e shkatërroi shtetësinë e Kanatit të Kazanit dhe konfederatën e çerkezëve (mbi të cilët kreuedhe gjenocid) dhe sot e kësaj dite miliona km2 janë nën Federatën Ruse pa vullnetin e miliona muslimanëve vendas të këtyre tokave.Në dominimin ndaj muslimanëve Rusia bile shkon përtej kufijve të saj zyrtarë, duke e konsideruar Azinë Qendrore sferë të saj të interesit.
Për Irakun rëndom thuhet se SHBA e ka pushtuar që t’ia merr naftën. Kjo është një legjendë urbane e padëshmuar, sepse si pjesë e miliardave që i ka dhënë për rindërtimin e Irakut, pikërisht SHBA e ka ndihmuar Irakun edhe për modernizim e sektorit të naftës dhe gazit. Ndërkaq, nga dhjetëra fusha të naftës që i ka Iraku, vetëm dy i janë dhënë me koncesion kompanive amerikane (të tjerat kompanive franceze, japoneze, turke, malajziane, etj.) Por ajo që nuk është legjendë urbane, por e vërtetë për të cilën jemi dëshmitarë edhe ne, është që në Tatarstan, Kaukaz, etj.,Rusia sot e kësaj dite i eksploaton tokat e muslimanëve për naftë, gaz, dhe minerale.
Gjithsesi, në disa aspekte pushtimi rus dhe sovjetik kishte ngjashmëri me kolonializmin perëndimor. Nëse për arabët kanë lënë pasoja vdekjeprurëse kufijtë Sykes-Picot (me të cilat u pajtua edhe Rusia Cariste), në Azinë Qendrore sot e kësaj dite shkaktojnë gjakderdhje në mes popujve muslimanë kufijtë e vizatuara nga Bashkimi Sovjetik. Një ngjashmëri tjetër është trashëgimia gjuhësore – ashtu si në Marok, Algjeri, dhe Tunizi, ka mbetur frëngjishtja, tek shtetet muslimane në Azinë Qendrore ka mbetur rusishtja.
Por përskaj këtyre ngjashmërive, Rusia e vetme ka shkaktuar shumë më shumë dëm ndaj muslimanëve sesa të gjitha shtetet perëndimore së bashku! Kështu që, nëse muslimanët kanë për se t’i jenë të zemëruar Perëndimit, kjo nuk do të thotë se për inati të tyre duhet të jenë në anën e Rusisë! Në veçanti kjo nuk i ka hije një shqiptari kur dihet që Rusia historikisht ka qenë kundër interesave të shqiptarëve dhe sot e kësaj dite vazhdon me këtë qasje duke i mbështetur qëndrimet e kundërshtarëve të shqiptarëve!
(Autori është magjistër i diplomacisë)