10.8 C
Skopje
E enjte, 26 Shkurt, 2026

Arben Fetai mbetet pa asnjë deputet, Demiri dhe Musa rreshtohen krah Azir Aliut

Krahu i Arben Fetai në Aleanca për Shqiptarët ka mbetur pa asnjë përfaqësues në Kuvend, pas lëvizjeve të fundit brenda subjektit politik. Sonte, në një iftar të përbashkët me struktura partiake të afërta me ministrin Azir Aliu, deputeti i pavarur Ilir Demiri u rreshtua publikisht krah tij, shkruan Gazeta Flaka.

Burime brenda partisë bëjnë të ditur se edhe deputetja Mimoza Musa, e cila konsiderohej pjesë e ASH-së së pretenduar nga Fetai, ka vendosur të përkrahë opcionin e Aliut.

I pyetur nëse takimet e fundit dhe lëvizjet politike lidhen me krijimin e një partie të re, Aliu theksoi se qëndrimi i tij ka qenë i qartë që nga fillimi: prioritet mbetet bashkimi i Aleancës për Shqiptarët dhe jo thellimi i ndasive.

Ai nënvizoi se përçarjet nuk janë në dobi të qytetarëve dhe se angazhimi i tij dhe i grupit që përfaqëson ka qenë dhe mbetet forcimi i strukturave dhe ruajtja e unitetit brenda subjektit politik. Për përplasjet e brendshme, Aliu tha se ato janë procese të natyrshme dhe demokratike, të pranishme në çdo organizim, por me synimin përfundimtar forcimin e subjektit.

“Në fund të fundit, Ilir Demiri është pjesë e Aleancës për Shqiptarët. Së bashku kemi filluar dhe së bashku duhet të vazhdojmë,” theksoi Aliu.

Me këto zhvillime, krahu i Fetait mbetet pa asnjë mandat parlamentar nga zgjedhjet e vitit 2024. Më herët, Mimoza Musa ishte pjesë e ASH-së së udhëhequr nga Arben Taravari, por pas ndarjes brenda partisë ajo kaloi te krahu i mbetur në VLEN dhe në qeveri. Ndërkohë, deputeti nga Struga, Salim Sulejmani, u tërhoq nga posti i deputetit, ndërsa vendin e tij, sipas listës zgjedhore, e zuri Dr. Valbona Adili Emini nga Lëvizja Besa.

Pas largimit të Musës, opsioni politik i Fetait mbetet pa asnjë deputet në Kuvend. Në bazë të realitetit të ri, Fetai mund të humbas edhe postin që mban aktualisht, zëvendëskryeministër në kabinetin e Mickoskit.

Ndërkohë, Fetai njoftoi se të enjten në mbrëmje do të mbahet një takim i jashtëzakonshëm me strukturat nga i gjithë vendi, ku pritet të merret vendim për shkrirjen e strukturave partiake. Nga tabori i tij theksojnë se, si ndër kontribuuesit dhe sakrifikuesit më të mëdhenj për krijimin dhe mbajtjen gjallë të VLEN-it, po hedhin hapin e radhës drejt themelimit të VLEN-it si subjekt politik.

Megjithatë, informacionet e fundit flasin se edhe në VLEN, Fetai nuk parashikohet në hierarkinë e partisë që mund të krijohet. Gazetari Rami Mislimi ka postuar se, me propozim të Albin Kurti, mund t’i jepet rrugë formimit të VLEN-it si parti unike, me këtë përbërje të kryesisë:

Të ngjajshme

Të fundit