12.8 C
Skopje
E enjte, 26 Shkurt, 2026

Kasami takon ministrin Muamet Hoxha, në fokus investimet mjedisore dhe projektet strategjike në Tetovë

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar një takim pune me Ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ku në qendër të diskutimeve ishin investimet aktuale dhe projektet strategjike që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës në Tetovë.

Sipas Kasamit, gjatë takimit u shqyrtuan projektet që ndodhen në faza të ndryshme realizimi, përfshirë rindërtimin e tubacionit kryesor nga Kodra e Diellit deri në qytet, zgjerimin e rrjetit primar në vendbanimin “Jashtë Vardarit”, si dhe ndërtimin e kolektorëve për kanalizim atmosferik në lagjet Falisht dhe Dardani.

Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe projektet e financuara nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat përfshijnë fazën e dytë të rindërtimit të ujësjellësit dhe ndërtimin e Stacionit të Transferimit të mbetjeve në Tetovë.

Një theks i veçantë iu dha projekteve në kuadër të instrumentit IPA, ku pritet nënshkrimi i kontratave për ndërtimin e stacionit për trajtimin e ujërave të zeza dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit.

Kasami theksoi se palët u zotuan për bashkëpunim të ngushtë institucional, me synimin që projektet të realizohen me efikasitet dhe transparencë të plotë, duke siguruar një mjedis më të pastër dhe kushte më të mira jetese për qytetarët e Tetovës.

Të ngjajshme

Të fundit