Kryetari i Çair, Izet Mexhiti, ka vlerësuar vendosjen e gurthemelit për kampusin e ri të Universiteti “Nënë Tereza” si një moment historik për arsimin shqip dhe për të ardhmen akademike të shqiptarëve në vend, informon POPULLI.mk
Në reagimin e tij, Mexhiti theksoi se ka momente që nuk maten me fjalë, por me themele, duke shtuar se gurthemeli i kampusit të ri përfaqëson një epokë të re zhvillimi dhe një kapitull të ri për arsimin në gjuhën shqipe.
Sipas tij, bëhet fjalë për një investim prej 42 milionë eurosh, i cili do të ndryshojë trajektoren e së ardhmes dhe do të forcojë identitetin akademik, duke ngritur standardet dhe duke vendosur dijen shqiptare në infrastrukturë moderne dhe në kushte dinjitoze, me horizonte evropiane.
Kompleksi i ri universitar do të përfshijë amfiteatro bashkëkohore, objekte mësimore me standarde të larta, salla sportive dhe pishinë për studentët, duke krijuar një ekosistem të plotë për zhvillimin e mendimit kritik, profesionalizmit dhe kulturës akademike.
Mexhiti theksoi se ky kampus përfaqëson arkitekturën e së ardhmes kolektive dhe është një dëshmi e besimit në rininë, si dhe një vendim për fuqizimin e arsimit në gjuhën shqipe me përgjegjësi dhe cilësi.
Ai shtoi se Shkupi po konsolidohet si qendër universitare dhe akademike për shqiptarët, ndërsa vizioni po shndërrohet në strukturë dhe institucion.
“Ne ndërtojmë me bindje. Ne veprojmë me përgjegjësi. Ne lëmë gjurmë që mbeten”, ka përfunduar Mexhiti mesazhin e tij, duke uruar për realizimin e projektit. / © POPULLI.mk
