Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet të zgjerohet në periudhën e ardhshme, ndërsa në përbërjen e saj mund të përfshihet edhe një parti politike turke. Burime për POPULLI.mk bëjnë të ditur se janë duke u zhvilluar bisedime që një subjekt politik i komunitetit turk të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës.
Sipas informacioneve që ka siguruar POPULLI.mk, kjo parti me shumë gjasë do të marrë drejtimin e një ministrie në kuadër të rikonfigurimit të kabinetit qeveritar.
Burimet thonë se sinjalet për këtë zhvillim kanë ardhur edhe nga Ankaraja, ku thuhet se është diskutuar për përfshirjen e përfaqësuesve politikë turq në ekzekutivin e Shkupit.
Ndërkohë, jozyrtarisht mësohet se kryeministri Hristijan Mickoski është pajtuar me këtë formulë të zgjerimit të Qeverisë, si pjesë e përpjekjeve për stabilitet politik dhe përfaqësim më të gjerë në kabinetin qeveritar.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për emrin e ministrisë që mund t’i takojë partisë turke, ndërsa pritet që në javët ose muajt në vijim të ketë më shumë qartësi rreth këtij zhvillimi politik.
