Është miratuar nisma për të shpallur Iranin vend terrorist. Në konferencëne e kryetarëve, projektrezoluta u miratua vetëm nga votat e socialistëve, për shpalljen e Iranit shtet financues të terrorizmit, si dhe për përcaktimin e Gardës Revolucionare si organizata terroriste.
Në përmbajtjen e pikave të draftit, dënohen sulmet kibernetike të atribuuara Iranit ndaj institucioneve shqiptare, përfshirë edhe sulmin më të fundit ndaj faqes së Kuvendit. Ndërkohë, Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar mbledhjen si një proces jashtë standardeve parlamentare.
Sipas tij, bëhet fjalë për një seancë të thirrur pa një rend dite të miratuar zyrtarisht dhe në kundërshtim me procedurat e parashikuara në rregullore, duke e konsideruar atë si një nismë që lidhet me interesa politike të drejtuesve politik të Partisë Socialiste.
Sipas njoftimit zyrtar, rendi i ditës i publikuar paraprakisht përfshin vetëm miratimin e procesverbaleve të seancave të mëparshme dhe njoftime të ndryshme. Megjithatë, pritet që përmes mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të përfshihet edhe projektrezoluta në agjendën e seancës plenare.
Dy seancat plenare të radhës do të jenë më 2 dhe 9 prill.
