8.8 C
Skopje
E martë, 24 Mars, 2026

Bom’bardim masiv rus, qindra dronë godasin qytetet ukrainase

Rusia ka kryer sulmin më të madh ajror ndaj Ukraina brenda një periudhe 24-orëshe që nga fillimi i luftës, duke lëshuar gjithsej 948 dronë në qytete të ndryshme të vendit, me pasoja të rënda në njerëz dhe infrastrukturë.

Sipas autoriteteve ukrainase, më shumë se 400 dronë u përdorën vetëm gjatë pasdites së së martës, në një sulm të pazakontë gjatë ditës, i cili pasoi një bombardim të rëndë gjatë natës që la të paktën pesë të vdekur.

Në Lviv, kryebashkiaku Andriy Sadovyi njoftoi se të paktën 22 persona janë plagosur, ndërsa paralajmëroi se bilanci mund të rritet. Autoritetet lokale publikuan pamje të një ndërtese banimi në flakë pranë një objekti historik.

Kreu i rajonit, Maksym Kozytskyi, bëri të ditur se manastiri Bernardine, një monument i shekullit të 16-të i mbrojtur nga UNESCO, ka pësuar dëmtime nga sulmet.

Sulme u raportuan edhe në qytetet perëndimore Ivano-Frankivsk, Vinnytsia dhe Ternopil. Në Ivano-Frankivsk, sipas guvernatores Svitlana Onyshchuk, dy persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën, përfshirë një fëmijë gjashtëvjeçar, ndërsa u dëmtuan edhe objekte civile, përfshirë një spital lindjeje.

Në Vinnytsia, një person u vra dhe 11 të tjerë u plagosën gjatë sulmeve të pasdites.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yurii Ihnat, deklaroi se një numër i madh dronësh hynë në hapësirën ajrore nga veriu, duke lëvizur në formacione të organizuara. Ai e cilësoi operacionin si një nga sulmet më të mëdha të këtij lloji që nga fillimi i luftës.

Ndërkohë, edhe në territorin rus u raportuan pasoja. Guvernatori i rajonit Kursk njoftoi se një person u vra dhe 13 të tjerë u plagosën pas një sulmi me dron nga Ukraina ndaj një ndërmarrjeje bujqësore.

 

Burimi / Top Channel

Të ngjajshme

Të fundit