Ish-zyrtari i lartë i policisë së Serbisë, Žarko Popović, ka bërë deklarata të rënda dhe nxitëse ndaj boshnjakëve të Sanxhakut gjatë një paraqitjeje në emisionin “Intervju” në kanalin YouTube Balkan Info, i publikuar më 19 mars 2026, transmeton INA.
Popović, i cili dikur ka shërbyer si shef i Seksionit për krime të dhunshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, ka përdorur gjuhë fyese dhe përjashtuese ndaj komunitetit boshnjak, duke thënë:
“Ikni nga këtu”,
“Shkoni në Bosnje te Alija”,
“Edhe xhamitë merrni dhe i çoni me vete”,
“Çfarë kërkon përmendorja e Nënave të Srebrenicës në Novi Pazar”,
“Merrni edhe përmendoren e Nënave të Srebrenicës dhe çojeni”,
“Kjo është toka e Nemanjiqëve”.
Por lidhur me këto kërcënime kanë shpërthyer reagime nga ana e mediave dhe opinionit publik në këtë krahinë.
“Këto deklarata nuk përfaqësojnë debat politik të pranueshëm, por përbëjnë gjuhë të hapur të urrejtjes dhe thirrje për përjashtim etnik, duke nënkuptuar largimin e një komuniteti nga hapësira ku ai jeton prej shekujsh. Veçanërisht shqetësues është fakti që këto mesazhe vijnë nga një ish-funksionar i lartë policor, gjë që i jep deklaratave peshë dhe përgjegjësi të shtuar publike. Në prezantimin e emisionit gjithashtu u theksua se “informacione nga bota e nëndheshme” janë përdorur për të folur për figura të njohura të viteve ’90, duke rritur edhe më shumë polemikën rreth përmbajtjes. Ofendimet ndaj përmendores së Nënave të Srebrenicës – simbol i kujtimit të viktimave të gjenocidit – e rëndojnë më tej këtë diskurs dhe hapin debat për kufijtë e fjalës publike.
Një retorikë e tillë bie ndesh me mesazhet për paqe, bashkëjetesë dhe respekt ndëretnik, të cilat shpesh theksohen nga zyrtarë të lartë shtetërorë në rajon. Novi Pazari dhe Sanxhaku nuk janë hapësira për përjashtim, por vende ku ndërthuren kultura, fe dhe identitete të ndryshme. Çdo tentativë për ta mohuar këtë realitet ngre shqetësime serioze”, përcjell reagimet Sanxhakpress.(INA)
Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për “mendim të lirë”, por për tejkalim të kufirit mes lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes — një kufi që në këtë rast është kaluar dukshëm.
