Bordi i Transparencës në Shqipëri ka vendosur të enjten çmim tavan për derivate.
Çmimi i naftës është ulur për 11 lekë për litër (11 centë).
Në mbledhjen e të enjtes të Bordit është vendosur që çmimi i naftës për litër në shitje me pakicë të mos jetë mbi 203 lekë litri (2.12 euro) e i benzinës jo më tepër se 175 lekë për litër (1.83 euro).
Vendimi hyri në fuqi prej orës 18:30 dhe duhet të zbatohet nga të gjitha bizneset e tregtimit të hidrokarbureve, deri në mbledhjen e radhës të Bordit të Transparencës, transmeton “Top Channel”.
Prej disa ditësh, në të gjitha pikat me pakicë të karburanteve, në Tiranë dhe qytetet e tjera, nafta tregtohej me 214 lekë për litër (2.23 euro), ndërsa pati edhe raste kur u shit me 217 lekë/litri (2.26 euro)
Çmimi i derivateve u rrit si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, që solli mbylljen e ngushticës së Hormuzit nga iranianët, duke shkaktuar krizë në tregjet globale.
Lufta e SHBA-Izraelit me Iranin solli rritjen e çmimit të naftës së papërpunuar, e njohur si Brent, duke ndikuar në mbarë botën, përfshirë vendin tonë.
