5.8 C
Skopje
E premte, 27 Mars, 2026

Donald Trump propozon plan për Gazën, kritikët: Favorizon çar’matimin ndaj rindërtimit

Kritikët paralajmërojnë se plani i “Bordit të Paqes” të Donald Trump-it i jep përparësi çarmatimit ndaj rindërtimit dhe tërheqjes së Izraelit

Hamasi duhet të pranojë shkatërrimin e rrjetit të tij të gjerë të tuneleve në Gaza dhe të dorëzojë armët në mënyrë të fazuar gjatë tetë muajve, sipas një plani çarmatimi të paraqitur nga “Bordi i Paqes” i presidentit amerikan Donald Trump.

Plani përcakton një afat kohor që nis me marrjen e kontrollit të sigurisë në Gaza nga një komitet palestinez teknokratësh, me mbështetjen e SHBA-së, dhe përfundon me tërheqjen e plotë të forcave izraelite pasi të “konfirmohet se Gaza është pa armë”.

Çarmatimi i Hamasit mbetet pengesa kryesore në negociatat për zbatimin e planit të Trump-it për Gazën dhe për forcimin e armëpushimit të tetorit, i cili ndali një luftë dyvjeçare me intensitet të lartë.

Hamasi prej kohësh ka refuzuar thirrjet për të dorëzuar armët, të cilat besohet se janë transportuar dhe ruajtur kryesisht në tunelet nën Gazë. Izraeli, nga ana tjetër, deklaron se nuk do të pranojë të tërhiqet nga Gaza pa u çarmatosur plotësisht më parë Hamasi.

Një zyrtar palestinez i afërt me negociatat e cilësoi planin si “të padrejtë” dhe tha se Hamasi ka të ngjarë të kërkojë “ndryshime dhe përmirësime”.

Zyrtari, që kërkoi të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve, u shpreh se plani nuk ofron garanci që Izraeli do të përmbushë detyrimet e tij. Ai shtoi se lidhja e rindërtimit dhe përmirësimit të kushteve të jetesës me çështje politike si çarmatimi mund të çojë në rifillimin e luftës.

Teksti i plotë i planit, për të cilin raportoi i pari Al Jazeera, u nda me Reuters nga dy zyrtarë palestinezë të përfshirë në negociata. Një zyrtar i Hamasit konfirmoi vërtetësinë e dokumentit.

“Bordi i Paqes” ia paraqiti planin Hamasit javën e kaluar.

Hamasi nuk ka bërë deklarata publike për këtë plan, ndërsa një zyrtar i tij tha se grupi po e shqyrton atë. Të enjten, tre fraksione të tjera palestineze, përfshirë Xhihadin Islamik, publikuan deklarata ku e kritikuan planin, duke theksuar se ai i jep përparësi çarmatimit në kurriz të çështjeve si rindërtimi dhe tërheqja e Izraelit.

Plani përbëhet nga dy pjesë: një dokument me 12 pika me titull “Hapat për përfundimin e zbatimit të planit gjithëpërfshirës të paqes të Trump-it për Gazën” dhe një kalendar me pesë faza gjatë të cilave Hamasi do të dorëzojë armët brenda tetë muajve.

 

Pjesa e parë parashikon që të gjitha fraksionet e armatosura në Gaza, përfshirë grupe si Xhihadi Islamik, të marrin pjesë në procesin e çarmatimit që do të mbikëqyret nga teknokratë palestinezë, të njohur si Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).

“Në Gaza do të zbatohet parimi i një autoriteti, një ligji dhe një arme, ku vetëm individët e autorizuar nga NCAG do të mund të mbajnë armë, ndërsa të gjitha fraksionet e armatosura do të ndalojnë aktivitetet ushtarake”, thuhet në dokument.

Dokumenti thekson se procesi i çarmatimit do të “verifikohet nga Komiteti për Verifikimin e Mbledhjes së Armëve”, një organ që do të krijohet nga Nikolay Mladenov, i dërguari kryesor i “Komitetit të Paqes”.

Ai gjithashtu përcakton se rindërtimi do të lejohet vetëm në zonat e shpallura të demilitarizuara.

Armëpushimi i tetorit bëri që Izraeli të marrë kontrollin e një pjese të madhe të Gazës, ndërsa Hamasi ruajti kontroll të fortë mbi pjesën tjetër të territorit dhe mbi rreth dy milionë banorët e saj, shumica e të cilëve kanë mbetur pa strehë pas dy vitesh bombardimesh të pandërprera izraelite.

Hamasi, që mbështet rezistencën e armatosur dhe është zotuar për shkatërrimin e Izraelit, muajt e fundit ka refuzuar publikisht thirrjet për çarmatim. Megjithatë, sipas raportimit, në bisedime jo publike, zyrtarë të Hamasit kanë shprehur gatishmëri për të diskutuar çarmatimin, me kusht që ai të jetë pjesë e një procesi politik që çon drejt krijimit të një shteti palestinez. Në dokumentin me 12 pika nuk përmendet shtetësia apo pavarësia palestineze.

Sipas kalendarit të planit, në fazën e parë, që zgjat 15 ditë, NCAG do të marrë kontrollin e sigurisë dhe administrimit në Gaza dhe do të nisë hapat përgatitorë për mbledhjen e armëve.

 

Në fazën e dytë, nga dita e 16-të deri në ditën e 40-të, Izraeli do të tërheqë të gjitha armët e rënda nga zonat që kontrollon, përfshirë artilerinë e rëndë dhe tanket, ndërsa do të vendosen edhe forca ndërkombëtare të sigurisë.

Faza e tretë, nga dita e 31-të deri në ditën e 90-të, do të jetë më intensive: Hamasi do t’ia dorëzojë NCAG-së të gjitha armët e rënda dhe pajisjet ushtarake dhe do të “mundësojë shkatërrimin e të gjitha tuneleve, eksplozivëve dhe infrastrukturës ushtarake”.

Në fazën e katërt, nga dita e 91-të deri në ditën e 250-të, forcat policore të NCAG-së do të mbledhin dhe regjistrojnë armët e mbetura, përfshirë pistoletat dhe pushkët. Forcat izraelite do të fillojnë tërheqjen graduale.

Faza e pestë përshkruhet si “verifikimi përfundimtar” i çarmatimit dhe parashikon që “forcat izraelite të tërhiqen plotësisht nga Gaza, me përjashtim të pranisë në zonën e sigurisë, si dhe të nisë rindërtimi gjithëpërfshirës”. /Përshtati Pamfleti/

Të ngjajshme

Të fundit