6.8 C
Skopje
E shtunë, 28 Mars, 2026

Opozita në protestë më 17 prill, Sali Berisha kërkon dorëheqjen e Edi Ramës

17 prilli është data që Partia Demokratike e Shqipërisë ka vendosur për protestën kombëtare të radhës.

Data u zbulua nga kryedemokrati Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët online, teksa u shpreh se skenari i tubimit do të bëhet i ditur së shpejti.

“Edi Rama mendon se do bindë shqiptarët duke sulmuar partnerët tanë. Edi Rama ke vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë. Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës. Mos mendo se nuk do gjesh paqe kurrë, nuk do ketë stabilitet kurrë për ty, për organizatën tënde kriminele dhe kartelet e drogës në Shqipëri. Opozita qëndron më e fuqishme se kurrë, më e vendosur se kurrë në misionin e saj”, tha Sali Berisha.

Lideri i opozitës komentoi edhe rritjen e çmimit të naftës, teksa lajmëroi se demokratët kanë gati një paketë që garanton uljen e çmimit të hidrokarbureve.

“I garantoj se, ne do të vendosim atë regjim fiskal i cili bën të mundur që nafta në Shqipëri të shitet njëlloj si në Kosovë dhe Maqedoni e asnjë qindarkë më shtrenjtë. Kemi përgatitur paketën dhe javën që vjen e paraqesim edhe njëherë para publikut. Ekspertët dhe specialistët dhe deputetët tanë kanë punuar dhe do ju njohin me të. Por ama kjo kërkon edhe reagim qytetar”, u shpreh Berisha.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Berisha nuk harroi edhe akuzat ndaj Kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij ka bllokuar çdo institucion për të mbrojtur veten.

Burimi / Vizionplus

Të ngjajshme

Të fundit