Diaspora do të përjashtohet nga procesi i regjistrimit të popullsisë që pritet të realizohet në vitin 2031. Këtë e paralajmëroi numri një i Entit të Statistikave Dejan Stankov duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne si Ent Shtetëror për Statistika do ta marrim parasysh propozimin e Gjykatës Kushtetuese e cila është sjellë para një periudhe të caktuar. Në përputhje me metodologjinë statistikore dhe standardeve ndërkombëtare nuk ka nevojë që të ndajmë qytetarët, në kuptimin nuk ka nevojë të përfshijmë popullsinë jo rezidente sepse qëllimi i regjistrimit është përcaktimi i popullsisë rezidente, gjegjësisht popullsinë që jeton në shtet dhe kjo është definicioni themelor statistikor”, deklaroi Dejan Stankov – Drejtor i Entit të Statistikave.
Ministri i Transformit Digjital thotë se dikasteri i tij po bashkëpunon me të gjitha institucionet të cilat bartin të dhënat e qytetarëve. Para regjistrimit elektronik, do të bëhen testime të metodologjisë.
“E dini se si parti politike e kemi kritikuar regjistrimin e kaluar dhe kishim arsye se pse. Një pjesë e madhe e të dhënave nuk ishin mbledhur në mënyrën e duhur të metodologjisë. Regjistroheshin njerëz nga mërgata të cilët fare nuk janë rezident të shtetit nën rrethana të paqarta. Kujtojmë se kishte pako me pasaporta të cilët regjistroheshin sikur janë njerëz dhe këtë nuk guxojmë ta lejojmë në regjistrimin e ardhshëm dhe mirë është që kemi filluar më herët që secili të punojë në regjistrat e tij”, tha Stefan Andonovski – Ministër i Transformimit Digjital.
Vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dispozita të metodologjisë të cilat ndanin popullsinë e Maqedonisë në rezident dhe jo rezident. Sipas Kushtetueses, ky kategorizim ishte bërë pa bazë ligjore sepse ligji për regjistrim nuk parashihte një ndarje të tillë me akt nënligjor. Në regjistrimin e fundit të popullsisë, shtetas të Maqedonisë së Veriut janë regjistruar 2 milion e 97 mijë e 319 persona prej të cilëve 1 milion e 836 mijë e 713 persona janë rezident. Ndërkohë si jorezidentë janë regjistruar 260 mijë 606 persona. Prej tyre rreth 180 mijë apo 66,4 për qind janë shqiptarë, ndërsa mbi 12 mijë apo 24,5 për qind janë maqedonasë. /Alsat/
