21.8 C
Skopje
E hënë, 6 Prill, 2026

SHBA-të, Irani dhe një grup ndërmjetësuesish rajonalë diskutojnë për një ar|mëpushim 45-ditor

Garda Revolucionare e Iranit ka raportuar vdekjen e shefit të inteligjencës në një sulm amerikano-izraelit. Majid Khademi, “kreu me ndikim dhe i arsimuar i inteligjencës për Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike”, u vra “në agim” në një sulm amerikano-izraelit, njoftoi Garda Revolucionare në Telegram. Ministri izraelit i Mbrojtjes Katz, njoftoi se ishte informuar nga Shefi i Shtabit se ushtria izraelite e kishte “eliminuar” Hademin. Ai deklaroi se Hademi ishte përgjegjëse drejtpërdrejt për sulmet vdekjeprurëse me raketa ndaj civilëve izraelitë.

“Regjimi në Iran vazhdon të lëshojë raketa dhe të vrasë e dëmtojë civilët izraelitë. Shefi i Shtabit më informoi se është vrarë Majid Khademi, kreu i organizatës së inteligjencës së Gardës Revolucionare, në Teheran, një nga ata që janë drejtpërdrejt përgjegjës për këto krime lufte dhe një nga tre figurat më të larta në organizatë”, deklaroi Israel Katz, Ministër i Mbrojtjes i Izraelit.

Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump e ka përsëritur kërcënimin e tij për sulme në infrastrukturën iraniane nëse Teherani nuk e hap Ngushticën e Hormuzit. Ai i ka bërë këto deklarata disa orë pasi forcat amerikane e kanë shpëtuar një anëtar të ekipit që është rrëzuar nga një aeroplan luftarak F-15. “E marta e 7 prillit do të jetë Dita e Termocentralit dhe Dita e Urës, të gjitha në një, në Iran. Diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë! Hapeni atë ngushticë të mallkuar, ju bastardë të çmendur, ose do të jetoni në ferr, do ta shihni”, ka shkruar Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.

Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi se kishte përgatitur përgjigjen e saj ndaj propozimeve të paraqitura nga ndërmjetësuesit për të provuar të ndërmjetësojnë një armëpushim në luftë me Izraelin dhe SHBA-në.

“Ne e kemi përgatitur përgjigjen tonë. Do të vendosim për kohën dhe mënyrën e shpalljes së saj kur të jetë e përshtatshme”, tha Esmail Baghaei, Zëdhënës i MPJ-së së Iranit.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrë një draft propozimi që bën thirrje për një armëpushim 45-ditor dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit si një mënyrë e mundshme për t’i dhënë fund luftës, thanë dy zyrtarë të Lindjes së Mesme për Associated Press.

Propozimi vjen nga ndërmjetësuesit egjiptianë, pakistanezë dhe turq që punojnë për të ndaluar luftimet, sipas zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti.

Irani ka këmbëngulur se do të vazhdojë të luftojë derisa të marrë dëmshpërblime financiare dhe një premtim se nuk do të sulmohet përsëri. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar të bombardojë urat dhe termocentralet iraniane këtë javë.

Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit ka nisur më 28 shkurt. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa me dronë kundër Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik, dhe në disa raste i ka shënjestruar forcat dhe asetet amerikane./Alsat.

Të ngjajshme

Të fundit