Presidenti amerikan, Donald Trump e ka përsëritur kërcënimin e tij për sulme në infrastrukturën iraniane nëse Teherani nuk e hap Ngushticën e Hormuzit.
Ai i ka bërë këto deklarata disa orë pasi forcat amerikane e kanë shpëtuar një anëtar të ekipit që është rrëzuar nga një aeroplan luftarak F-15.
“E marta e 7 prillit do të jetë Dita e Termocentralit dhe Dita e Urës, të gjitha në një, në Iran. Diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë! Hapeni atë ngushticë të mallkuar, ju bastardë të çmendur, ose do të jetoni në ferr, do ta shihni”, ka shkruar Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.
Periudha e ultimatumeve të Trumpit ka ndryshuar disa herë në postimet e tij që i ka bërë së fundmi në rrjetet sociale, ose në intervistat e tij.
Në një intervistë më 5 prill për të përditshmen amerikane, Wall Street Journal, Trump ka thënë se Irani duhet ta hapë ngushticën brenda dy ditësh ose në të kundërtën “do të mbeten pa termocentralet dhe centralet tjera që i kanë në gjithë shtetin”. Fillimisht, Trump ka sinjalizuar se afati i fundit ishte 6 prilli.
Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit ka nisur më 28 shkurt. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa me dronë kundër Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik, dhe në disa raste i ka shënjestruar forcat dhe asetet amerikane./rel.
