Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria 2030 në Bashkimin Evropian (BE) nuk është një objektiv politik, por sipas tij është një zgjedhje qytetërimi, raporton Anadolu.
Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po zhvillohet sot Samiti i katërt i Diasporës Shqiptare me disa panele, ndërkohë në hapje të punimeve të samitit ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama dhe zyrtarë të tjerë.
Kryeministri Rama theksoi se sot diaspora shqiptare nuk është më një histori ikjeje, por sipas tij ajo është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë.
Rama shtoi se samiti nuk është një mbledhje ceremoniale, por “është një deklaratë qëllimesh të larta dhe të përbashkëta”.
“Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori i saj. Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën, kujtesën, shpresën kokëfortë dhe ndjenjën e pathyeshme të përkatësisë së tyre kombëtare. Dhe sot, kur bota është më e ndërlidhur se kurrë dhe kur fjala, si kurrë më parë vjen e vjen në çast sa hap e mbyll sytë nga një kontinent në tjetrin, ju (diaspora) jeni zgjatim i gjallë i Shqipërisë kudo në botë”, u shpreh Rama.
Rama tha se sot i kanë çelur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe se e kanë bërë këtë në një kohë rekord.
“Sot e ardhmja evropiane është një tryezë, ku jemi të ulur çdo ditë bashkërisht, ballë për ballë, ne dhe Komisioni Evropian me ambicien e përbashkët për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027. Shqipëria sot nuk është gjëkundi më, Shqipëria që shumë prej jush lanë pas. Është një vend që ndryshon çdo ditë, ndonjëherë ngadalë, ndonjëherë më shpejt se sa e kemi pritur edhe ne vetë, por në mënyrë të padiskutueshme dhe të pakthyeshme Shqipëria ecën vetëm përpara. Shqipëria 2030 në Bashkimin Evropian nuk është një objektiv politik, është një zgjedhje qytetërimi”, tha Rama.
Rama u shpreh se ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë, por sipas tij ajo shkruhet edh në Romë, në Athinë, në Londër, në New York, në Berlin, në Zyrih, në çdo vend ku shqiptarët jetojnë dhe punojnë.
– Hoxha: Shqipëria që transformohet dhe diaspora që afirmohet, dy anë të së njëjtës medalje
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, theksoi në fjalën e tij se historia e diasporës është histori sakrifice, qëndrese dhe përkushtimi. Ai shtoi se ky samit është një pikë takimi në mënyrë që sipas tij vizioni i përbashkët të kthehet në bashkëveprim.
“Shqipëria që transformohet dhe diaspora që afirmohet janë dy anë të së njëjtës medalje. Dhe kjo medalje ka një emër, shqiptaria në zhvillim dhe forcim”, tha ndër të tjera ministri Hoxha.
Kryediplomati Hoxha theksoi se Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt të ardhmes evropiane që i ka projektuar vetes.
Samiti i Diasporës Shqiptare që do të mbahet deri më 15 prill organizohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën kujdesin e kryeministrit Rama.
Sipas organizatorëve, ky samit është një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe vizioni mes shqiptarëve kudo në botë. Gjithashtu theksohet se samiti përbën mundësi për të ndarë ide, përvoja dhe për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe institucioneve në Shqipëri.
