Po harmonizohen qëndrimet, po sinkronizohen pikëpamjet ligjore dhe më së voni javën e ardhshme ligji antiduhan do të jetë në procedurë qeveritare. Përfaqësuesit e ekzekutivit thonë se kanë gjetur gjuhë të përbashkët me hotelet, restorant e klubet.
“Ligji është nga fundi, sot kam takimin e fundit me ministrin, që të mund të sinkronizohemi tërësisht në pikëpamjen ligjore dhe vlerësoj se ligji këtë javë, e më së voni javën e ardhshme do të jetë pjesë e procedurave qeveritare, tashmë është sinkronizuar me të gjithë grupet e interesit ”, deklaroi Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë.
Por kryeministri Mickoski tha se tolerancë nuk do të ketë ndaj prodhuesve dhe importuesve të duhanit me shije.
“Por po ashtu, sa u përket prodhuesve dhe importuesve, do të pajtoheni edhe ju se gjithnjë e më shumë kemi shembuj që adoleshentëve u shiten të ashtuquajturat wipe, me shije, kjo nuk është në rregull… Duhet të ketë rregull të qartë se si do të funksionojë, nuk mund ato kërkesa t’i pranojmë, të lejojmë edhe më tej wipe të aromatizuara të përdoren dhe fëmijët nga 11-12 vjet ti përdorin. Kjo nuk është në rregull, kjo është ajo që ne nuk duam të jetë në ligj, e ata thonë të ketë të paktën një dy shije, mentoll të ketë. Kjo nuk është si të them, tavolinë suedeze, jo këtë dua jo atë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër
Në seancën e fundit të Qeverisë nuk kaloi ligji antiduhan, pasi i njëjti nuk u harmonizua plotësisht me kërkesat e gastronomëve./Alsat.mk.
