Oda e Turizmit dhe e Gastronomisë kërkon që nga 1 qershori deri më 1 shtator, qytetarët e Maqedonisë që udhëtojnë në Greqi të lirohen nga sistemi i ri për hyrje në BE. Bëhet fjalë për një sistem që parashikon marrjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografisë në kufi. Ata paralajmërojnë se vendosja e këtij sistemi në kulmin e sezonit turistik mund të shkaktojë vonesa të gjata në pikat kufitare dhe pritje prej disa orësh.
Kryetari i Odës, Arkan Kerim, deklaroi se tashmë janë në kontakt me Ministrinë e Turizmit të Greqisë dhe shprehu shpresën se do të marrin një përgjigje pozitive.
„I kemi dërguar shkresë ministres së Turizmit të Greqisë, në të cilën kemi kërkuar që të merret parasysh se ne jemi popull fqinj, pra shtet fqinj, dhe se mund të ketë skenarë për vonesa të mëdha në hyrje dhe dalje nga Republika e Greqisë. Dhe nëse është e mundur, të përjashtohemi nga 1 qershori deri më 1 shtator, në kulmin e sezonit turistik, nga ky sistem i hyrjes biometrike, pra sistemi EES. Shpresojmë që brenda 10 ditëve të ardhshme të marrim përgjigje pozitive nga ministria dhe nga qeveria greke dhe që ata ta miratojnë pozitivisht kërkesën tone,“ deklaroi Arkan Kerim, kryetar i Odës së Turizmit dhe Gastronomisë.
Sipas Kerimit, sistemi është i mirë, por në prag të sezonit turistik do të krijojë komplikime.
„Ky është një sistem shumë i mirë, realisht në të cilin do të ketë kontroll se ku ke hyrë dhe ku ke dalë. Megjithatë, ata e kishin paralajmëruar se do të bëhet një fotografim dhe një marrje e gjurmëve të gishtërinjve një herë, dhe pastaj nuk do të ketë më nevojë. Por jemi dëshmitarë se për çdo hyrje dhe dalje qytetarët duhet të fotografohen dhe të japin gjurmët e gishtërinjve për hyrje dhe dalje. Pra, ky është një sistem i mirë, por funksionaliteti është pak më specifik se sa ishte paralajmëruar,“ deklaroi Arkan Kerim, kryetar i Odës së Turizmit dhe Gastronomisë.
Se një lehtësim i caktuar është i mundur, e tregon edhe vendimi i qeverisë greke që qytetarët britanikë të mos kalojnë nëpër kontrolle biometrike gjatë hyrjes në vend, si pjesë e zbatimit të sistemit të ri evropian EES. Pritje të ngjashme ka edhe në Serbi. Atje, shoqatat turistike theksojnë se, edhe pse mund të mos ketë vendim zyrtar, Greqia me shumë gjasë do të shfrytëzojë mundësinë për të pezulluar kontrollet kur ngarkesat në kufij bëhen shumë të mëdha, në përputhje me rekomandimet evropiane. Sistemi i ri, i cili është në zbatim prej dy javësh, i ka zëvendësuar vulat tradicionale në pasaporta. Në vend të tyre, aplikohet regjistrim digjital që përfshin skanimin e pasaportës, marrjen e gjurmëve të gishtërinjve, fotografimin dhe ndjekjen automatike të qëndrimit të lejuar të udhëtarëve. Edhe pse është paralajmëruar si një zgjidhje moderne, në praktikë sistemi është treguar dukshëm më i ngadalshëm dhe po shkakton vonesa në pikat kufitare. /Alsat.mk
