Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se, me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, është mbrojtur rendi kushtetues dhe është shmangur, sipas saj, një shkelje e rëndë e Kushtetutës.
Sipas PDK-së, përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese kanë dështuar, ndërsa institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues janë ruajtur. Kjo parti konsideron se përgjegjësia kryesore për krizën politike bie mbi pushtetin aktual, të cilin e akuzon për krijimin e krizave të njëpasnjëshme politike, keqqeverisje dhe probleme ekonomike.
PDK-ja vlerëson se, në përputhje me Kushtetutën, vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. Në këtë drejtim, ajo i ka bërë thirrje ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke siguruar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.
Po ashtu, kjo parti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të përgatiten për zgjedhje dhe, përmes votës së tyre, të refuzojnë, siç thuhet, përçarjen dhe bllokadat institucionale.
Në reagimin e saj, PDK-ja thekson se vendi ka nevojë për një drejtim të ri, stabilitet politik dhe institucione funksionale, duke kërkuar një qeverisje që respekton Kushtetutën. Sipas saj, pas zhvillimeve të fundit, vendimmarrja kalon tek qytetarët përmes procesit zgjedhor.
© SYRI.net
