37.7 C
Skopje
E hënë, 29 Qershor, 2026

Stoilkoviq konfirmon largimin, kush do të jetë pasardhësi i tij ?

Ministri në largim i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, ka bërë një përmbledhje të punës së tij para largimit nga posti, duke theksuar se pasardhësit do t’i lërë një ministri të sistemuar, të organizuar dhe me sistematizim të ri.

Në një reagim publik, Stoilkoviq tha se kur mori detyrën ministria funksiononte si një “zonë gri” e sistemit, ndërsa tani, sipas tij, është transformuar në një institucion me funksionim të rregullt dhe me shpenzime të racionalizuara.

Ai veçoi si arritje kryesore uljen e ndjeshme të buxhetit të ministrisë. Sipas tij, buxheti i Ministrisë së Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive ka rënë nga 577,7 milionë denarë në vitin 2021 në 173,5 milionë denarë në vitin 2026, ndërsa të gjitha programet janë realizuar dhe është shtuar edhe një program i ri.

Stoilkoviq pretendon se me këto masa janë eliminuar shpenzimet e panevojshme dhe praktikat që, sipas tij, shërbenin për qëllime korruptive, përfshirë furnizimet publike fiktive, kontratat e dyshimta dhe pagesat për persona që nuk paraqiteshin në vendin e punës.

Një tjetër pikë që ai e konsideron të rëndësishme është shfuqizimi i Programit K-5. Sipas Stoilkoviqit, përmes këtij programi në të kaluarën mijëra persona kanë marrë paga pa kryer detyrat e tyre të punës.

“Me Buxhetin e vitit 2026 procesi i rishpërndarjes së nëpunësve administrativë është përfunduar plotësisht dhe Programi K-5 është shfuqizuar. Ka përfunduar qasja ‘rri në shtëpi dhe merr pagë’”, deklaroi ai.

Stoilkoviq theksoi gjithashtu se Ligji i ri për Përfaqësim të Përshtatshëm dhe të Drejtë, i cili ndodhet në procedurë parlamentare, duhet të sigurojë përfaqësim të drejtë, profesionalizëm dhe cilësi në punësimet në sektorin publik.

Largimi i Stoilkoviqit nga posti i ministrit vjen në kuadër të ndryshimeve të paralajmëruara në përbërjen e Qeverisë.