31.6 C
Skopje
E martë, 14 Korrik, 2026

BDI: Stoilkoviqi promovon politikën e përbuzjes ndaj shqiptarëve

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas sulmit verbal ndaj deputetes Arbana Pasholli, duke e cilësuar ngjarjen si pasqyrim të mentalitetit politik të Qeverisë VMRO-VLEN-ZNAM dhe jo si një incident të izoluar. Në një komunikatë për media, BDI vlerëson se sjellja e ministrit Ivan Stoilkoviq dëshmon qasjen e pushtetit ndaj përfaqësuesve shqiptarë.

“Sulmi verbal i Ivan Stoilkoviqit ndaj deputetes Arbana Pasholli nuk është incident i rastësishëm. Ai është pasqyrë e vërtetë e mentalitetit politik që sot përfaqëson Qeveria VMRO-VLEN-ZNAM, një mentalitet që fyen, nënçmon dhe sulmon përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve dhe për partnerë i zgjedh ata që janë pa legjitimitet, pa zë dhe pa dinjitet”, thuhet në reagimin e BDI-së. Partia opozitare e konsideron skandaloz faktin që, sipas saj, Ivan Stoilkoviq, të cilin e përshkruan si politikan me deklarime të mëhershme antishqiptare, është avancuar në një funksion të ri qeveritar.

“Është skandaloze që një person me histori të deklarimeve të hapura antishqiptare, i cili deri dje mbante postin e zëvendëskryeministrit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive etnike, sot shpërblehet me një ministri edhe më të rëndësishme. Ky nuk është promovimi i dialogut ndëretnik, por promovim i politikës së përbuzjes, ofendimit dhe konfrontimit”, thuhet më tej në komunikatë.

BDI kritikon edhe deputetët e koalicionit VLEN, duke theksuar se avancimi i Stoilkoviqit u bë i mundur me votat e tyre në Kuvend.”Edhe më skandaloz është fakti se ky avancim u mundësua me votat e deputetëve dhe deputeteve të VLEN-it. Ata dhe ato nuk mund të pretendojnë se përfaqësojnë interesat e shqiptarëve, ndërsa njëkohësisht votojnë për ngritjen në detyrë të një politikani që publikisht ka dëshmuar qëndrime fyese dhe armiqësore ndaj shqiptarëve. Heshtja dhe vota e tyre janë bashkëfajësi politike”, thekson BDI. Sipas partisë, rasti nuk ka të bëjë vetëm me deputeten Arbana Pasholli, por me dinjitetin e grave në politikë dhe të përfaqësimit politik të shqiptarëve.

“Sot u sulmua verbalisht një deputete shqiptare. Nesër, me të njëjtën logjikë, do të sulmohet çdo zë që nuk i përshtatet kësaj qeverie. Prandaj, kjo nuk është vetëm çështje e Arbanës, por çështje e dinjitetit të çdo gruaje në politikë dhe e dinjitetit të përfaqësimit politik të shqiptarëve”, thuhet në reagim.

BDI shpreh solidaritet të plotë me deputeten Arbana Pasholli dhe kërkon përgjegjësi politike të menjëhershme për rastin, duke theksuar se kryeministri nuk duhet të heshtë. “Kryeministri nuk mund të heshtë përballë një sjelljeje të tillë, sepse heshtja do të thotë miratim”, thuhet në komunikatë. Në fund, partia i bën thirrje Qeverisë VMRO-VLEN-ZNAM të sqarojë nëse, sipas saj, “gjuha e urrejtjes, fyerjet dhe poshtërimi i deputeteve shqiptare” përbëjnë standardin e ri të qeverisjes.

“Shqiptarët nuk do të pranojnë që përfaqësuesit e tyre të fyhen, ndërsa ata që i kanë votuar të bëhen spektatorë ose bashkëpunëtorë të këtij degradimi politik”, përfundon reagimi i BDI-së.