Në Maqedoninë e Veriut është hapur debat mes studentëve të drejtësisë dhe institucioneve përgjegjëse, pas shqetësimeve se provimi i jurisprudencës nuk po ofrohet në gjuhën shqipe. Studentët dhe përfaqësues të tyre thonë se kjo situatë përbën një pengesë serioze në realizimin e të drejtave të barabarta në arsim dhe profesion, shkruan POPULLI.mk
Sipas tyre, mungesa e mundësisë për të dhënë provimin në gjuhën amtare krijon pabarazi në procesin e vlerësimit. Organizatat studentore kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të rishikojnë kuadrin ligjor dhe administrativ, duke theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe në provime shtetërore është pjesë e të drejtave të garantuara për bashkësitë etnike në vend.
Nga ana tjetër, institucionet ende nuk kanë dhënë një qëndrim të qartë mbi kërkesat e ngritura, ndërsa pritet që çështja të diskutohet në nivel politik dhe akademik. Nga ana tjetër partia shqiptare në pushtet VLEN ka thënë se ata janë garantues se kjo e drejtë do t’u jepet studentëve.
Juristë dhe njohës të fushës vlerësojnë se zgjidhja e këtij problemi duhet të vijë përmes dialogut institucional dhe respektimit të standardeve kushtetuese për barazi gjuhësore, në mënyrë që të shmangen tensionet dhe të garantohet qasje e barabartë për të gjithë kandidatët.
Studentët thonë se nuk do të ndalen me kaq. Ditë më parë mijëra studentët mbushën sheshin e Shkupit, ku u përkrahën edhe nga studentët e Tiranës dhe Prishtinës. Gjithashtu morën pjesë edhe figura të njohura nga vendi e rajoni për t’i përkrahur studentët.
Kjo nuk do të ngelet me kaq, meqenëse studentët kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen derisa t’u jepet e drejta që kërkojnë. / © POPULLI.mk
