23.7 C
Skopje
E mërkurë, 22 Korrik, 2026

QMK: Stuhia e fuqishme la pasoja në shtet, janë pranuar mbi 9.000 thirrje në 112 në Shkup

Pas motit të ligë të shoqëruar me erë të fortë, shi dhe reshje të rrëmbyeshme lokale, në më shumë rajone të vendit janë regjistruar dëme materiale, drunj të rrëzuar, kulme të dëmtuara, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe pasoja të tjera, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza.

Ekipet e institucioneve kompetente ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e pasojave dhe normalizimin e gjendjes.

Në Rajonin e Shkupit pas orës 17, përmes numrit Të Vetëm për Thirrje Emergjente 112 janë pranuar mbi 9.000 thirrje nga qytetarët, ku pjesa më e madhe kanë të bëjnë me pasojat e motit të keq. Më së shumti janë raportuar drunj të rrëzuar, automjete dhe konstruksione çatie të dëmtuara, kabllo elektrike të këputura, shtylla të rrëzuara dhe dëmtime të tjera. Raportimet i referohen të gjithë territorit të Qytetit të Shkupit, duke përfshirë të gjitha komunat.

Në Rajonin e Pollogut në territorin e Tetovës nuk janë regjistruar raste më të rënda që kanë kërkuar intervenime urgjente. Janë evidentuar dëme të vogla materiale, ndërsa shërbimet kompetente janë në terren dhe po e monitorojnë situatën. Gjendja është stabile dhe nën kontroll.

Në Rajonin e Vardarit (Veles, Sveti Nikollë, Lozovë, Kavadar dhe Negotinë) janë regjistruar pasojat e mëposhtme nga moti i ligë:
drunj dhe degë të rrëzuara; kulme dhe strehë të dëmtuara; kabllo elektrike të këputura. Në terren janë angazhuar njësitë zjarrfikëse, ndërmarrjet publike komunale, policia dhe ekipet e EVN-së. Në pjesë të Sveti Nikollës, Lozovës, Çashkës dhe vendbanimeve përreth ka ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për shkak të dëmtimeve në infrastrukturën elektroenergjetike. Në zonën industriale të Kavadarit, si pasojë e telave elektrikë të rrëzuar, është shkaktuar zjarr, i cili është lokalizuar menjëherë.

Në Rajonin Verilindor Kumanovë janë regjistruar shumë raportime nga qytetarët për pasojat e motit të ligë. Janë evidentuar: drunj të rrëzuar në disa lokacione; fasada dhe kulme të dëmtuara; kulme të rrëzuara të objekteve; dëmtime në infrastrukturën elektrike, shtylla dhe kabllo të rrëzuara. Janë regjistruar edhe raste të drunjëve të rrëzuar mbi automjete, me dëme materiale.Të gjitha raportimet janë përcjellë te shërbimet kompetente.

Në Rajonin e Pellagonisë Manastir dhe rajoni i Prilepit në zonën që mbulonn QMK Manastir, pasojat e motit të ligë janë regjistruar në një pjesë të rajonit të Prilepit. Është shkëputur çatia prej llamarine e ndërtesës administrative të NP “Pyjet Nacionale – Cërn Bor”. Punonjësit po punojnë në sanimin e pasojave.

Në Rajonin Lindor Shtip, Koçan, Probishtip dhe Vinicë janë regjistruar pasoja nga era e fortë dhe shiu.
Në Probishtip janë evidentuar: drunj dhe degë të rrëzuara; kulme të dëmtuara të objekteve private dhe afariste;
oxhaqe të rrëzuara; automjete të dëmtuara; bllokim i rrugës nga fshati Ratavicë drejt Zletovës; ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Në Koçan janë regjistruar: kulme të dëmtuara; drunj dhe degë të rrëzuara; shtylla të anuara; bodrume të përmbytura. Rreth 80% e qytetit të Koçanit ka mbetur pa energji elektrike, ndërsa për shkak të ndërprerjes së funksionimit të pompave të ujit është ndërprerë edhe furnizimi me ujë. Është mbajtur mbledhje e Shtabit Komunal të Krizave.

Në Shtip janë evidentuar: shumë drunj dhe degë të rrëzuara që kanë vështirësuar qarkullimin; kulm i dëmtuar i një objekti në rrugën “Vita Pop Jordanova”; rreth 50% e kulmit të Spitalit Klinik të Shtipit është ngritur nga era, ndërsa janë regjistruar edhe përmbytje në hapësirat spitalore. Njësia Territoriale e Zjarrfikësve të Shtipit dhe ndërmarrjet publike janë në terren për pastrimin dhe normalizimin e gjendjes.

Në Vinicë janë regjistruar vetëm degë të rrëzuara, pa pasoja më serioze.

Në Rajonin Juglindor Strumicë janë regjistruar: ndërprerje në rrjetin elektrik me tension të ulët; tela të këputura dhe shtylla të rrëzuara; kulme të dëmtuara; një bilbord i rrëzuar; drunj të thyer dhe të shkulur. Në bujqësi janë raportuar sera të dëmtuara, folie të bartura nga era, si dhe dëme në kulturat bujqësore dhe perimet e hershme. Ekipet kompetente janë në terren dhe po punojnë për eliminimin e pasojave.  përcjell Zhurnal.mk .