VLEN po përballet me kritika dhe pakënaqësi të brendshme, pas emërimeve të fundit të disa figurave që nuk arritën të fitojnë besimin e qytetarëve në zgjedhjet lokale, shkruan POPULLI.mk
Sipas reagimeve që po qarkullojnë në opinion, persona që humbën garat politike po shpërblehen me paga të larta dhe pozita në institucione.
Një nga rastet që po përmendet është ai i Haqim Ramadanit, i cili nuk arriti rezultat pozitiv në Bërvenicë, ndërsa më pas u angazhua me një pagesë prej rreth 1.000 eurosh nga Komuna e Çairit. Ky veprim po shihet nga kritikët si shpërblim politik për humbjen, e jo për meritë apo kontribut konkret ndaj qytetarëve.
Po ashtu, reagime ka nxitur edhe emërimi i Sedat Bislimit, i cili pas humbjes në Studeniçan u emërua zëvendësdrejtor në Fondin për Sigurim Shëndetësor. Shtrohet pyetja nëse këto emërime po bëhen mbi baza profesionale apo si kompensim politik për figurat partiake.
Në opinion po shtrohet gjithnjë e më shumë dilema se përse po shpërblehen ata që nuk ia dolën të marrin mbështetjen e qytetarëve, ndërsa aktivistët dhe mbështetësit që kontribuan në terren po mbeten të anashkaluar?
Pakënaqësitë thuhet se po rriten edhe brenda strukturave të VLEN-it, ku shumë aktivistë ndihen të harruar dhe të zhgënjyer. Sipas disa burimeve brenda partisë, disa prej personave që kontribuan më së shumti në organizim dhe fushatë tashmë kanë filluar të distancohen dhe të dalin publikisht kundër politikave të VLEN-it, ndërsa disa të tjerë edhe e kanë braktisur.
Këto zhvillime kanë hapur debat mbi mënyrën e funksionimit të partisë së sapoformuar dhe raportin me meritokracinë, përgjegjësinë politike dhe besimin qytetar. / © POPULLI.mk
