29.3 C
Skopje
E premte, 31 Korrik, 2026

Osmani: Qeveria humbi mbi 60 milionë euro për Korridorin 8

Pavarësisht dallimeve politike, nuk prisja fyerje dhe nervozizëm nga Kaltrina Zekolli. Nga të tjerët përreth saj po, por nga Zekolli jo.
Ja, do ta përgëzoj që paska pasur një takim të suksesshëm në kuadër të grupit të punës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. I njoh mirë ato grupe, sepse ne i nisëm para më shumë se katër vjetësh, por për fat të keq puna e tyre ngeci me ardhjen e Qeverisë suaj dhe nuk pati vazhdimësinë e nevojshme.
Por, Kaltrina, kjo nuk e ndryshon faktin se shefi yt, Aleksandar Nikollovski, përmes ekzibicioneve politike me “mite për tunele që nuk përfundojnë askund”, u përpoq t’i ridrejtonte mjetet nga Korridori 8, Shqipëri–Bullgari, drejt Korridorit 10, Serbi–Greqi.
Natyrisht, pa sukses, sepse Korridori 8 është korridor sigurie, zbatimi i të cilit garantohet nga instanca më të larta. Por pikërisht ky ekzibicion i tij na solli në situatën që të humbim mbi 60 milionë euro nga fondet IPA, të parashikuara për realizimin e fazës së dytë.
Këto mjete janë humbur në mënyrë të pakthyeshme. Ky është fakt, jo gënjeshtër.