35.2 C
Skopje
E shtunë, 1 Gusht, 2026

Ministri Ferati realizoi brifing me përfaqësues të mediave

Ministri i Marrëdhënive ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati realizoi brifing me përfaqësues të mediave, në të cilin prezantoi orientimet kryesore për funksionimin e Ministrisë në periudhën e ardhshme.
Në takim u bisedua për gjendjen aktuale institucionale, nevojën për forcimin e kapaciteteve të brendshme, përmirësimin e koordinimit ndërmjet sektorëve dhe rritjen e efikasitetit në hartimin dhe zbatimin e politikave që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësive.
Ministri Ferati theksoi se në fokus të punës së Ministrisë do të jenë ndërtimi i një qasjeje më strategjike, forcimi i kapaciteteve analitike dhe hulumtuese, zhvillimi i partneriteteve institucionale dhe ndërkombëtare, si dhe krijimi i mekanizmave më transparentë, më të drejtë dhe më të balancuar për shpërndarjen e mbështetjes publike.
Ai nënvizoi se një institucion që ka për mision promovimin e barazisë, dialogut ndërmjet bashkësive, bashkëjetesës dhe gjithëpërfshirjes duhet, para së gjithash, të jetë vetë shembull i organizimit të mirëfilltë, profesionalizmit, integritetit dhe drejtësisë institucionale. Vetëm një institucion që i zbaton këto parime në funksionimin e tij të përditshëm mund t’i promovojë ato me besueshmëri në shoqëri.
Vëmendje e veçantë i’u kushtua rolit të mediave në forcimin e dialogut, stabilitetit dhe kohezionit shoqëror. Ministri Ferati theksoi se komunikimi i hapur dhe partneriteti me mediat janë thelbësorë për ndërtimin e besimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve. Në këtë frymë, ai bëri thirrje që mediat, në përputhje me standardet profesionale dhe përgjegjësinë e tyre publike, të kontribuojnë në izolimin e narrativave që nxisin urrejtje, përçarje apo provokime me bazë etnike, fetare ose tjetër diskriminuese, duke promovuar një kulturë dialogu, respekti dhe bashkëjetese.
Në kuadër të brifingut u diskutua edhe për nevojën e një qasjeje më gjithëpërfshirëse në politikat publike, me qëllim që aktivitetet e Ministrisë të kontribuojnë në bashkëjetesë, mundësi të barabarta, zhvillim institucional dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive mbetet e përkushtuar për punë transparente, bashkëpunim me mediat dhe forcim të politikave që ndërtojnë besim, kohezion shoqëror dhe marrëdhënie të qëndrueshme ndërmjet bashkësive.