Abdulselam Selami
Kur vendimi është kolektiv, ku është vepra individuale?
Rasti duhet të trajtohet me standardin e së drejtës penale, e jo me standardin e përgjegjësisë politike.
Dhe këtu lind pyetja thelbësore:
Cili është veprimi konkret, individual dhe i kundërligjshëm që përbën vepër penale?
Për çdo vendim të Qeverisë ekziston procedurë institucionale, përfshirë shqyrtimin nga Sekretariati për Legjislacion. Në rastin konkret, sipas të dhënave të bëra publike, nuk ka pasur vërejtje juridike lidhur me informacionin në fjalë.
Më tej, Qeveria e ka miratuar informacionin me votim 20:0, pra me vullnet unanim të organit kolektiv.
Por ka edhe një element juridik edhe më thelbësor:
Informacioni i miratuar nga Qeveria, në vetvete, nuk është akt që krijon të drejta apo detyrime juridike për të tretët dhe nuk prodhon, si i tillë, pasoja juridike materiale.
Nëse një akt nuk krijon pasoja juridike, atëherë duhet shpjeguar qartë se cili veprim konkret pasues, i kryer personalisht , ka prodhuar pasojën e kundërligjshme dhe në ç’mënyrë ai veprim i përmbush elementet e veprës penale.
Fakti se ka qenë pjesë e Qeverisë dhe pjesëmarrës në një vendimmarrje kolektive nuk e bën automatikisht përgjegjës penalisht për vendimin e organit kolektiv.
Përgjegjësia penale është personale.
Prandaj, nëse vendimi është miratuar 20:0, nëse procedura institucionale nuk ka konstatuar kundërligjshmëri dhe nëse bëhet fjalë për një informacion që, në vetvete, nuk prodhon pasoja juridike, atëherë akuza duhet të përgjigjet në një pyetje shumë të thjeshtë:
Ku është veprimi individual që përbën vepër penale?
Sepse përndryshe nuk kemi individualizim të përgjegjësisë penale.
Kemi individualizim selektiv të një vendimmarrjeje kolektive.
Dhe ky nuk është vetëm rast politik.
Është çështje e parimit të ligjshmërisë, përgjegjësisë individuale dhe shtetit të së drejtës.




