35.8 C
Skopje
E mërkurë, 12 Gusht, 2026

Mexhiti: Marrëveshja e Ohrit nuk është histori, sot po e kthejmë në ligje, investime dhe barazi

Në shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, theksoi se marrëveshja historike e vitit 2001 nuk duhet të shihet si një dokument i ngrirë në kohë, por si një proces që kërkon zhvillim të vazhdueshëm dhe përshtatje me nevojat e qytetarëve dhe standardet demokratike evropiane.

Mexhiti vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe vendosi themelet e një koncepti të ri të shtetit, ku karakteri shumetnik i shoqërisë duhet të reflektohet në institucione, ligje dhe jetën publike. Sipas tij, për shqiptarët, marrëveshja hapi një proces të rëndësishëm të barazisë institucionale, përmes përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, përdorimit të gjuhës shqipe, decentralizimit, arsimit, kulturës dhe pjesëmarrjes në vendimmarrje.

Duke folur për zhvillimet e dy viteve të fundit, Mexhiti theksoi se vendi po hyn në një fazë të re, ku synimi është që parimet e Marrëveshjes së Ohrit të mos mbeten vetëm mekanizma administrativë, por të shndërrohen në garanci të qëndrueshme ligjore dhe institucionale.

Si shembull ai veçoi përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, duke theksuar se Qeveria ka miratuar zgjidhjen ligjore për këtë çështje, duke e ngritur atë nga niveli i një mekanizmi administrativ në nivelin e një detyrimi të qartë ligjor për institucionet e shtetit.

“Një mekanizëm mund të ndryshohet, mund të keqpërdoret dhe mund të varet nga vullneti i një institucioni. Një parim i vendosur në kornizë ligjore fiton qëndrueshmëri, përgjegjësi institucionale dhe instrumente për zbatimin e tij”, theksoi Mexhiti.

Ai u ndal edhe te përdorimi i gjuhës shqipe, duke nënvizuar se tashmë bëhet fjalë për një të drejtë të rregulluar me ligj dhe për obligimin e institucioneve që ta zbatojnë atë në praktikë. Sipas tij, përgjegjësia institucionale është që të adresohen pengesat dhe boshllëqet që paraqiten gjatë zbatimit.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij Mexhiti ia kushtoi decentralizimit, të cilin e cilësoi si një nga dimensionet thelbësore të Marrëveshjes së Ohrit. Ai theksoi se nuk mjafton që komunave t’u transferohen kompetenca në letër, por duhet t’u sigurohen edhe kapacitetet financiare për ushtrimin e tyre.

Në këtë drejtim, Mexhiti përmendi programin qeveritar për financimin e projekteve kapitale në nivel lokal, përmes të cilit, sipas tij, janë vënë në dispozicion mbi 250 milionë euro për projekte lokale, përfshirë rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, çerdhe dhe infrastrukturë tjetër publike.

Ai theksoi se në këtë model financimi komunat me shumicë shqiptare dhe komunat ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë kanë marrë pjesën e tyre në mënyrë të drejtë dhe proporcionale, duke përmendur Çairin, Tetovën, Gostivarin, Strugën, Sarajin, Likovën dhe komuna të tjera.

“Kur një komunë ndërton një shkollë, një çerdhe, një rrugë apo një ujësjellës me mjete të siguruara për zhvillimin lokal, atëherë decentralizimi nuk është më vetëm koncept juridik. Ai bëhet pjesë konkrete e jetës së qytetarit”, tha Mexhiti.

Në kuadër të zhvillimit të barabartë, ai veçoi edhe investimet strategjike në infrastrukturë, veçanërisht Korridorin VIII, i cili, sipas tij, krijon një bosht të rëndësishëm zhvillimi që lidh Kumanovën dhe Shkupin me Tetovën, Gostivarin, Kërçovën dhe Strugën, deri në Qafë Thanë dhe më tej drejt Adriatikut përmes Shqipërisë.

Mexhiti përmendi edhe autostradën Shkup–Bllacë, duke theksuar se punimet për aksin e ri nisin pikërisht në muajin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, ky investim do të përmirësojë lidhjen e Shkupit me Kosovën, do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të zonës.

Në fushën e arsimit, Mexhiti veçoi si investim strategjik ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, me vlerë prej 42 milionë eurosh.

“Për herë të parë është bërë një investim i tillë në arsimin shqip”, theksoi Mexhiti, duke e cilësuar kampusin si një investim jo vetëm në arsimin e lartë, por edhe në gjuhën shqipe dhe në gjeneratat e reja që do ta ndërtojnë të ardhmen e vendit.

Ai theksoi se nëse Marrëveshja e Ohrit hapi rrugën për avancimin e arsimit dhe përdorimit të gjuhës shqipe, përgjegjësia e institucioneve sot është që këto të drejta të mbështeten me institucione të fuqishme dhe infrastrukturë moderne.

Në fund, Mexhiti vuri theksin edhe te kultura, gjuha dhe identiteti, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së festivaleve, panaireve të librit, botimeve, artistëve dhe manifestimeve kulturore shqiptare.

Sipas tij, 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit duhet të shërbejë jo vetëm si moment për të kujtuar të arriturat e së kaluarës, por edhe si pikënisje për një fazë të re, në të cilën barazia, përfaqësimi, decentralizimi, arsimi, kultura dhe zhvillimi i barabartë do të forcohen përmes institucioneve, ligjeve dhe investimeve konkrete.